Në origjinën e Valles së shqipeve

Në origjinën e Valles së shqipeve

81
0
SHPËRNDAJE

Në majë të shkëmbit një malësor imiton shqipen…Harta e Ballkanit, Një pamje e bukur e liqeneve, ujit të lumit dhe natyrës shqiptare. Në ekran shfaqet spikerja Nora Musha, ndërsa këngëtarët Xhevdet Hafizi dhe Drita Papajani këndojnë në një park të mbushur plot me lule. Më tej pamjet e vjetra të Sarandës në vitin 1960.

Një shtëpi malësori e një vajzë që mbush ujë, por harron shaminë dhe e merr malësori. Këtu lind lufta e shpatave mes dy malësorëve, deri sa vajza i ndan. Kështu lindi dhe vallja e shpatave në malësinë e Shkodrës. Më tej vajzat tjerrin lesh, e më pas vijnë djemtë. Pamje nga kalaja e Beratit. Një grup komitësh kërcejnë vallen e tyre…

Vajzat shkojnë dhe mbushin ujë me shtamat në krahë. Vajzat kërcejnë vallen dropullite, e më pas vijnë dhe djemtë. Pamje nga lugina përreth Beratit. Kjo është vallja e Zerqanit. Delet kullosin e gratë çobane punojnë leshin e bagëtive. Kështu fillon vallja e Tropojës. Më tej në dokumentarin prej 20 minutash të Endri Kekos dhe skenar të Kin Dushit, me muzikë të Çesk Zadesë, shpalosen pamjet e Sokrat Mushës; të maleve dhe shqiponjave që fluturojnë. Vallen e shqipeve, e kërcejnë djemtë.

Pamje nga bregdeti e lule të verdha në fushë. Luçije Miloti dhe Ibrahim Tukiçi, këndojnë buzë detit. Sërish e përmbyll spikerja Nora Musha e veshur me kostumin popullor. Ky ishte një copëz rrugëtim nga dokumentari i Kinostudio “Shqipëria e re” e realizuar në vitin 1960.

Rastësisht, të njëjtin emër të temës së diplomës “Vallëzimi i shqipeve” do të kishte dhe etydi koreografik që ngjizi i madhi Rudolf Nurejev, në Universitetin e Arteve të Moskës, duke bërë figuracionin e shqiponjës (si një zog i lirë), e duke e transmetuar në skenë përmes valltarëve.

Vallet lirike, janë ato që zënë kryesisht vend në folklorin koreografik. Luhen kryesisht nga gratë, më pak nga burrat ose gra e burra bashkë. Llojet e tyre janë vallet rituale (“Lule manushaqe”, Kolonje etj) ; vallet e dasmës (“Nusja jone arbërore”, Lunxhëri – Gjirokastër etj) ; vallet erotike (“Kërcimet e Logut”, Malësia e Madhe – Shkodër etj) ; vallet humoristike (“Vallja e nuses së Fajës” nga Shqipëria e Mesme), vallet pantomime (“Ojna e lepuri”, Hotolisht- Librazhd etj).

Ndryshe nga vallet lirike, janë vallet epike që karakterizohen nga forca, burrëria, trimëria, karakteri luftarak, madhështia, etj. Luhen kryesisht nga burrat dhe më pak nga gratë, ose së bashku. Llojet e tyre janë: vallet luftarake (Loja me jatagan, Valle dyluftimi, etj) dhe vallet e trimërisë (Valle të Jugut, etj). Në disa valle shqiptare ka gërshetim të lirikës me epikën, vallet liriko-epike (“Valle bishtore e Labinotit”; Çermenikë – Elbasan, etj) dhe valle epiko-lirike (“Kërcim burrash” Hasi i Rrafshit-Kosovë, etj)

Brenda elementit kombëtar vallet kanë mjaft veçori krahinore, ku vallet e Toskërisë, Myzeqesë, Labërisë dhe Çamërisë, karakterizohen nga shoqërimi vokal-polifonik. Krahina të tjera si Lunxhëria, Zagoria etj. krijojnë edhe unitete koreografike mbi bazën e veçorive krahinore.

Vallet e Shpatit, Dumresë apo Polisit (Elbasan) dallohen për shoqërimin vokal polifonik dhe homofonik. Vallet e zonës qytetare të Shqipërisë së Mesme dallohen për shoqërimin vokalo-instrumental. Në krahinat lindore të Shqipërisë qendrore (Çermenika, Gryka e Zaranikës, Polisi, zona e Rajcës, Malësia e Tiranës dhe e Krujës, Martaneshi e Mati) bien në sy vallet e burrave dyshe të shoqëruara me curle e lodër.

Krahinat malore të Shqipërisë së Mesme e Veriore, duke përfshirë Kosovën dhe vise të tjera shqiptare, dallohen për kërcimet e grave që luhen nga një, dy ose më shumë valltare të shkëputura njëra nga tjetra me një kërcim të lirë. Në pasurinë koreografike të trevave veriore, tërheqin vëmendjen dhe vallet me emërtime të veçanta, të cilat janë karakteristike sidomos në Lumë, Malësi të Gjakovës, Malësi të Madhe, krahina e Rrafshit të Dukagjinit, Rrugovë, Drenicë, Opojë, etj.

Veçantia e valleve vërehet në motivet, formacioni dhe trajta. Motivet (mbi bazën e dyhapëshit, të trehapëshit dhe të katërhapëshit) paraqiten në tre tipe kryesore : a) dyshe, b) treshe, dhe c) katërshe.

Sipas formacionit ndahen në valle masive dhe kërcime solistike. Në vallet masive vërehen tre tipe: a) vallet në rreth të mbyllur, b) vallet në gjysme rrethi ; c) vallet në dy vija përballe njëra–tjetrës. Kërcimet solistike ndahen në pesë tipe: kërcime njëshe, dyshe, treshe, katërshe dhe kërcime në grup. Sipas strukturës dallohen kryesisht trajtat e kërcimit njëpjesësh dhe dypjesëshe.

Përshtati: Edmond Prifti