Kisha jonë

Kisha jonë

56
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Jeton Fieri

(Gjirokastër, 17 shkurt 1914. Shpallja e pavarësisë të Epirit të Veriut. Në të majtë mitropoliti i Dropullit Vasilios, në të djathtë mitropoliti i Velës dhe Konicës Spiridhon dhe në qendër krye-ministri i Epirit të Veriut të Pavarur J. Zografi)

Problemi nëse është i ligjshëm qëndrimi i Anastasit në fronin e kryepeshkopit të kishës ortodokse të pavarur shqiptare ka vërtet një lëvozhgë juridike. Por poshtë kësaj lëvozhge të hollë shtrohet pyetja thelbësore: Edhe sikur të jetë ligjërisht dhe kanonisht i vlefshëm qëndrimi i Hirësisë së Tij Anastasit në fronin e kishës shqiptare, a është ky akt moralisht i pranueshëm? Nuk ka pikë dyshimi që asnjë ligj apo aq më tepër kanon kishtar nuk duhet marrë  parasysh në rast se nuk është i vlefshëm moralisht. Siç ka thënë Tomas D’Akuini, një tjetër prift: ”Një ligj i padrejtë, nuk është fare ligj”.

Gjithashtu diskutimi mbi vërtetësinë e dokumentit që paraqiti zoti Frashëri ka vlera vetëm po të jemi të sigurt për vërtetësinë e tij. Për kursim kohe dhe vendi po e pranoj paraprakisht se zgjedhja e Anastasit si kryepeshkop KOASH-it është e ligjshme (e vlefshme kushtetut-shmërisht dhe kanonisht) dhe se dokumenti paraqitur nga z. Frashëri është i sajuar nga armiqtë e Hirësisë së Tij. Pyetja është: a ka të drejtën morale të jetë një klerik grek kryetar i një kishe shqiptare? Pse Fortlumturia e Tij është i vetmi i huaj në mes të krerëve fetarë? Përse nuk duhet të kryen shërbesat fetare në greqisht apo arabisht? A do të lejojë shteti shqiptar nesër Shënjtërinë e tij Haxhi Dedë Reshat Bardhin, po të dojë, të predikojë persisht apo turqisht? Shteti shqiptar duhet të jetë shikues apo arbitër në “lojrat” fetare. Kemi një harmoni shembullore fetare por a na lejohet të eksperimentojmë me të?

Këto pyetje mund duken të anashkalueshme dhe përgjigjet e tyre të vetkuptueshme. Në fakt, nuk është fare kështu. Është për të ardhur keq por ka do kohë që çështjet me origjinë apo parametra fetarë janë sot në qendër të jetës politike në shumë vende. Vini re rastin e Turqisë dhe konfliktin mes Erdoganit dhe qemalistëve, disa konflikte politike në Francë, Gjer-mani dhe SH.B.A dhe së fundi triumfin elektoral të Gert Vilders në Hollandë. Publiku europian dhe botëror për fat të keq po shfaq një ndjeshmëri në rritje ndaj çështjeve fetare.

Gjithashtu duhet të kuptohet që diskutimi për Hirësinë e tij Anastasin nuk ka të bëjë as me cilësinë e tij si njeri, as si klerik. Është e logjikshme që Patriarkana e Stambollit (de facto, kisha greke) të sillte në Shqipëri një nga klerikët e saj më të zotë.

Kurrfarë përgjegjësie personale nuk ka Hirësia e Tij për background-in historik të marrëdhënieve të kombit, shtetit dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me Patriarkanën, Kish-ën Greke, shtetin grek etj,etj. Mirëpo injorimi i këtij background-i është po kaq i rrezikshëm si për besimtarët ashtu edhe për kryepeshkopin e Kishës Tonë. Le të shohim përse.

Në Hudson, Masaçusets në vitin e largët 1907, Kristaq Dishnica, një emigrant i ri shqiptar vdiq nga gripi. Prifti grek refuzoi t’i kryente shërbesën e fundit një shqiptari të shkishëruar për arsye të aktivitetit të tij patriotik. Ky incident që u fut në histori si “incidenti i Hudsonit” u bë shkas i krijimit të Kishës Ortodokse të Mëvetësuar Shqiptare (unë personalisht parapëlqej përcaktimin “e mëvetësuar” nga “autoqefale”).

Ajo që vlen të shënohet në incidentin e Hudsonit është fakti që prifti grek nuk veproi si besimtar ortodoks, por si patriot grek.

Rrallë herë rrethanat historike shprehen me kaq elegancë nga hollësirat historike. Kjo hollësi historike ka peshën dhe veçantinë e vet. KOASH-i, përveçse si nevojë historike, lindi edhe si një  rezultat i një  reagimi kundër kishës greke. Mbas incidentit të Hudsonit në 18 mars 1908, Platoni, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Ruse në Amerikë e veshi prift Fan Nolin dhe më 22 mars 1908 u krye mesha e parë shqiptare në kishën e Shën Gjergjit. Në 1922 u votua statusi i kësaj kishe dhe vetëm në 1937 patriarku i Stambollit e njohu pavarësinë e kësaj kishe nga kisha greke.

Në fakt, gjithnjë Kisha Ortodokse Greke ka qënë gjithnjë më shumë greke sesa ortodokse. Ajo e quan veten e vet ruajtës të identitetit kombëtar dhe deri sot luan një rol shumë aktiv në mbrujtjen e poltikës greke. Në Greqi kisha akoma nuk është e ndarë nga shteti. Në fakt, rreth 268 milionë euro të buxhetit të shtetit në Greqi shkojnë për pagesat e rrogave dhe pensioneve të priftërinjëve. Kisha ka ose pretendon pronësinë e rreth 1.300.000 hektarë tokë, rreth 200 milionë euro në aksione në bankat greke, mijëra godina në të gjithë Greqinë, ishuj të pabanuar etj, etj. Gjithë këtë pasuri gjigande, të cilën disa e vlerësojnë në rreth 60 miliardë euro, e administrojnë më shumë sesa 10 mijë persona juridikë dhe firma. Kjo analizë është e domosdoshme për të kuptuar madhësinë dhe forcën ekonomike të kishës greke. Ai që mendon se këtu kemi thjesht të bëjmë me ca plakushë simpatikë me mjekra të gjata gabohet rëndë.

Gjithnjë kisha greke është përpjekur të identifikjë vetveten me ndërgjegjen kombëtare greke. Deri sot disa nga elementët më reaksionarë të saj synojnë të lozin një rol përcaktues si në politikën e jashtme greke (shih çështjen e emërtimit të Maqedonisë dhe mitingjet e organizuara nga mitropoliti Anthimos i Selanikut, reagimet për bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë, etj, etj) ashtu dhe në politikën e brendshme greke (heqja e deklarimit të fesë nga letërnjoftimet, heqja e mësimit të fesë ortodokse nga programi i detyruar shkollor, tatimi i pasurisë kishtare dhe së fundi përkrahja politike përmes deklaratave “për të djathtën e Zotit” etj, etj).

I ndjeri kryeshkop Kristodhulopulos, krenohej shpesh me rolin prej roje dhe pararoje të kombit grek që kisha greke luajti dhe vazhdon të luajë në rrjedhën e shekujve.

Në të vërtetë janë këto disa karakteristika të kishës greke që e bëjnë rolin e saj brenda ortodoksisë shqiptare objekt diskutimesh. Sinqerisht, duhet të pranojmë se nuk do të kishim të njëjtin intensitet dhe pasion diskutimesh sikur të bëhej fjalë për krerin e kishës katolike, protestante apo bahai.

A ka një klerik grek (kurse një ortodoks nga Uganda p.sh. do t’a kishte!) të drejtën morale të jetë kryetar i kishës ortodokse shqiptare?

Kisha greke ka qënë gjithnjë në kah të kundërt me interesat kombëtare të shqiptarëve. Herë për arsye të identifikimit propagandistik të miqësisë shqiptaro-turke si alencë  antigreke dhe herë për hir të  solidaritetit absurd ortodoks me serbët. Pa dyshim, gjatë (Patriarku i Stambollit figuronte në protokollin e Portës së Lartë si “pasha me shtatë tuje”) dhe mbas daljes nga zgjedha otomane kisha greke luajti një rol aktiv në jetën politike të Ballkanit dhe të Shqipërisë.

Zelli persekutues i kishës greke ndaj arsimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë të Rilindjes  mund të krahasohet vetëm me Inkuizicionin e Shenjtë. Teodhor Kavalioti, Naum Veqilharxhi, Babë Dudë Karbunara, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi janë disa nga therorët e përpjekjes shqiptare për arsim e besim në gjuhën tonë. Askush prej tyre nuk arriti moshën e nderuar të mitropolitëve tanë. Të gjithë dhanë shpirt nga thika ose helmi.

Mitropoliti i Dropullit Vasilios, i lindur në Labovë, u bë anëtar i qeverisë së Zografos (qeveria e Republikës Autonome të Epiritit të Veriut) në postin e Ministrit të  Drejtësisë, Arsimit dhe Besimit Fetar. Ai ishte një nga krijuesit e lëvizjes për pavarësinë e Epirit të Veriut (ose Shqipëria e Jugut!). Në 28 shkurt të 1914, kur Fuqitë e Mëdha vendosën që Shqipëria e Jugut (ose Epiri i Veriut!) t’i mbetej Shqipërisë, gjatë zvendësimit të flamurit grek me flamurin epirot, i pikëlluar mitropoliti deklaroi: “Për arsye nevojash urgjente kombëtare po ulim flamurin tonë dhe të gjyshërve tanë. Por në vend të tij nuk lartësuam një flamur të huaj, por “të birin” e tij: flamurin epirot që fati tij është të triumfojë kundër gjysëmhënës shqiptare.”

Dhe Hirësia e tij Vasilios nuk ishte përjashtimi por rregulli mbizotërues në kishën greke sepse Deklarata e Pavarësisë të Epirit të Veriut u nënshkrua nga të gjithë mitropolitët grekë të jugut shqiptar: i Korçës, i Konicës.

 

Për këto aktivitete, mitropoliti i Dropullit Vasilios dhe ai i Korçës Gjermanos u dëbuan për-katësisht nga autoritetet italiane dhe franceze mbas hyrjes së trupave të tyre në Gjirokastër dhe Korçë. Vini re faktin që dëbuesit e tyre ishin jo shqiptarë, por të huaj të cilët kishin jo vetëm interesin por edhe mandatin ndërkombëtar. E nënvizoj këtë hollësi për të provuar që aktiviteti i hierarkëve grekë nuk ishte sajim i nacionalistëve shqiptarë. Për më tepër, shqiptarët, tek të cilët toleranca ka forcën e traditës, nuk e shfrytëzuan këtë moment të favorshëm historik për hakmarrje fetare apo etnike.

Vazhduesi më i denjë i kësaj politike antishqiptare në rradhët e klerit grek ishte Sevastiani, mitropoliti i Konicës. Çdo predikim i tij nga valet e “Radio Dropullit” në Konicë përfundonte me fjalët: ”Kurajo, vëllezër! Këmbanat po lajmërojnë Ringjalljen! Krishti u ngjall! Dhe Epiri i Veriut po ringjallet!”

 

Siç shkruan edhe një nga gazetat më të mëdhaja greke në ditën e varrimit të tij: ”Sot varroset mitropoliti Sevastianos. Prania e tij 27 vjeçare në dioqezën kufitare (Dropull, Pogon dhe Konicë) i është kushtuar përpjekjes për mbrojtjen e të drejtave njerëzore të grekëve të Epirit të Veriut, gjë që e bëri të njohur në gjithë Greqinë dhe në botë.” (“TA NEA” të datës 13-12-1994). Ose siç konstaton një tjetër e përditshme me tirazh të lartë: ”Kisha humbi një prijës të zot, Greqia një patriot dhe Epiri i Veriut një luftëtar të vërtetë.” (“ELEFTEROS” 13-12-1994).

Në një fjalim të mbajtur në Patër dhe në Selanik, pasardhësi i Sevastianit, mitropoliti Andreas premton: ”Por përpjekja për Epirin e Veriut vazhdon: në kushte të reja dhe me mënyra të reja.”

 

Është detyrë e shtetit dhe kombit shqiptar për t’i njohur këto “kushte të reja” dhe për t’i shqyrtuar këto “mënyra të reja”. Por gjithsesi, është për të ardhur keq që në këtë shekull të ri motua e Sevastianosit: ”Kur rasa e priftit bëhet flamur, fitorja është e sigurt!” – ka akoma përkrahës.

 

Dikush mund të pyesë me plot të drejtë: Po ç’hyn kryepeshkopi ynë në këtë mes? A e bëjnë atë të qenit prift grek dhe ortodoks të njëjtë me të tjerët? Natyrisht që jo! Por nuk e bëjnë as të ndryshëm me disa nga bashkatdhetarët dhe kolegët e tij. Pa dyshim që Kryepeshkopi nuk ka asnjë lloj përgjegjësie personale për të kaluarën e trazuar të marrëdhënieve tona me kishën greke ose me Patriarkanën, por nga ana tjetër është e vështirë të harrohet kaq shpejt e kaluara. Një kishë e cila nuk harron akoma kryqëzat e katolikëve para 800 vjetësh nuk mund të ketë pretendimin që vëllezërit e tyre ortodoksë të harrojnë ato që kanë ndodhur para një shekulli. Sa më shpejt të kuptojë Hirësia e tij se jo besimtarët dhe shteti shqiptar por mitropolitët grekë që shërbyen para tij në Shqipëri e kanë minuar fronin e tij, aq më mirë për të gjithë.

 

Mund të duket paradoksale por armiku më i madh i prezencës të Hirësisë së Tij Anastasit në krye të kishës shqiptare ortodokse nuk është trashëgimia e Imzot Fan Nolit, por bëmat e ish-mitropolitëve grekë të jugut të Shqipërisë.

 

Besoj se një hap i parë që do t’a ndryshonte pozitivisht imazhin e kryepeshkopit dhe që do të tulaste flakën e diskutimit rreth pavarësisë së kishës sonë do të ishte zgjedhja e mitropoltëve shqiptarë në Berat dhe në Gjirokastër, gjë që do të sillte vetvetiu ekuilibër në Sinodin e Shenjtë. Është jashtë çdo lloj logjike dhe morali që nga shtatë anëtarët e KOASH-it tre të jenë mitropolitë grekë. Asnjë kanon kishtar për përjetshmërinë, moshën apo studimet fetare nuk mund të bjerë ndesh me të drejtën dhe moralin. Por në rast se ndodh, nuk ka pike dyshimi se cili duhet të injorohet.

 

Natyrisht që askush nuk mund të korrigjojë të kaluarën prandaj shqiptarët ortodoksë dhe muslimanë nuk duhet të ecin me fytyrë nga e shkuara sepse kështu janë të dënuar t’i kthejnë shpinën të ardhmes .Dhe kjo vlen për të gjithë.

 

Sa për Imzot Anastasin, ai u ka një borxh mijërave të shqiptarëve që votuan kushtetutën në bazë të së cilës ai është kryepeshkop.

 

Në emër të moralit kristian dhe të dëbimit të demonëve të kaluarës, Kryepeshkopi ynë duhet të kërkojë nga kisha simotër greke që ajo të lypë të falur për prapësitë që ka bërë në kurriz të Shqipërisë dhe kishës ortodokse shqiptare që ai i prin me hir të Zotit dhe vullnet të shqiptarëve.

 

Shqiparët që dinë të falin do t’a bëjnë shenjt.