CIA: Mit’hat Frashëri, rol kyç në bashkimin e ballistëve, ja bisedat me...

CIA: Mit’hat Frashëri, rol kyç në bashkimin e ballistëve, ja bisedat me Abaz Kupin e Said Kryeziun, Shqipëria kishte peshë të vogël për Bashkimin Sovjetik

251
0
SHPËRNDAJE

CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon Shqipërisë komuniste. Në një përmbledhje që ka bërë gazeta të disa dokumenteve, përshkruhet situata në Ballin Kombëtar. Sipas CIA, ballistët që arritën të arratisen u organizuan disa herë për rrëzimin e regjimit. Nga na tjetër, tregohet dhe se për Moskën Shqipëria kishte rol honorifik.

Përplasjet dhe roli i Mit’hat Frashërit

Fitorja komuniste në vitin 1944 bëri që shumë liderë të Ballit të largoheshin nga Shqipëria. Kur partia e Ballit Kombëtar u rimblodh nga refugjatët në Itali dhe në Greqi, kishte ndryshime në lidershipin e saj. Konservatorët nuk e dominonin më atë dhe mezi arritën të mbanin drejtim të përbashkët me intelektualët socialistë.

Dhe në këtë pikë partia do të ishte ndarë, po të mos kishte qenë për Mit’hat Frashërin, i cili ruante prestigjin e pushtetarit të vetëm të vjetër, të cilin edhe socialistët nuk mund ta refuzonin, edhe pse këta të fundit përfaqësonin “Gardën e Vjetër”. Gjithashtu, socialistët kuptuan se nëse aleatët kishin vendosur të mbështesnin çdo lëvizje shqiptare të refugjatëve ata do të shikonin nga Frashëri si i vetmi njeri me staturë politike mes tyre.

Dokumenti i britanikëve dhe CIA

Pas disa takimeve ne dhe britanikët hartuam një dokument ku përshkruhej një rrugë e pranuar e veprimit: kjo ishte dominimi i grupit të Ermenit në përpjekjet për sheshimin e diferencave me disidentët dhe zgjidhjet e problemit me Ballin. Nëse kjo dështonte duhet të merren në konsideratë hapa të tjerë.

Pak më vonë në Romë Dostit iu dha një “notë verbale” ku thuhej se pikëpamja e përbashkët anglo-amerikane ishte veprimi në dy rrugë: Ose të pranonte përfshirjen e përfaqësuesve të disidentëve në komitetin ekzekutiv të NCFA, ose të bënte një kompromis me ta brenda Ballit.

Balli zgjodhi alternativën e dytë dhe na dha një deklaratë të shkruar ku thuhej se do të merrnin hapa të shpejtë për arritjen e rikëshillimit të dëshiruar. Gjithsesi diskutimi i metodave që ata do të përdornin tregonte se Balli vetëm sa po plotësonte detyrimin për të folur mbi idenë e rikëshillimit.

 

Biseda me Kryeziun dhe Abaz Kupin

Përpara se të largohesha nga Roma, pata një bisedë me Said Kryeziu dhe Abaz Kupin në lidhje me situatën e Ballit. Në të dy mendonim se disidentët kishin të drejtë të përfaqësoheshin në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, dhe ata gjithashtu trembeshin se nëse Ermeni ia arrinte të përjashtonte një grup të konsiderueshëm të refugjatëve nga aktivitetet, vinte në pozitë për të marrë kontrollin e të gjithë lëvizjes. Të dy ishim dakord se kërcënimi i Ermenit për t’u dorëhequr nga Komiteti nëse u jepej përfaqësimi disidentëve, ishte një bllof i pastër. Nga Roma fluturova drejt Londrës më 23 nëntor, dhe kur u takova me përfaqësuesit britanikë duhej se edhe ata kishin ndryshuar disi opinionin në lidhje me çështjen. Ata pranuan kësaj pa kundërshtuar shpjegimin tim mbi mendësinë e Ballit Kombëtar dhe ranë dakord për përfaqësimin e disidentëve në komitetin e NCFA dhe në takimin e dytë me ta unë u binda se kjo rrugë do të ndiqej në të ardhmen e afërt.

 

Roli i britanikut John Hiberdine

Përpjekjet tona për presion ndaj Ballit po komprometoheshin edhe nga përfaqësuesi britanik në Romë, John Hiberdine. Që prej fillimit, Hiberdine kishte marrë atë që ne konsideronim si pozicion negativ në lidhje me rikëshillimin. Ai mbështeste pikëpamjen se disidentët ishin të parëndësishëm, dhe se prandaj britanikët, e rrjedhimisht edhe amerikanët, ishin moralisht të detyruar të mbështesnin grupin e Ermenit për arsye të punës së tij të mëparshme.

Nga burime të besueshme të jashtme ne mësuam se Hiberdine po këshillonte privatisht Ermenin dhe grupin e tij të mos dorëzoheshin ndaj kërkesave tona për arritjen e kompromisit. Më në fund në nëntor vendosa se diskutimet e mëtejshme mbi këtë subjekt ishin të kota. Meqenëse Balli nuk pranonte kompromisin, e vetmja alternativë ishte të rishikonim vendimin e përbashkët që morëm me britanikët në Paris.

 

Aktiviteti i Lidhjes Kombëtare të Maleve

Janë identifikuar liderët e mëposhtëm të Lidhjes Kombëtare të Maleve: Don Zef Oroshi, president; Haki Bushati, zëvendës-president; Jake Prel Jaku, sekretar; Karlo Coba anëtar; Ndrek Kakarriqi, anëtar; Sulejman Hafizi, anëtar; Gjon Daija, anëtar; Preng Kil Gjonmarkaj, anëtar; Liman Koldashi, anëtar; Don Frano Iliaj, anëtar. Në prill 1951, sekretari i lidhjes Jaku transmetoi apelin e shkruar për ndihmë ndaj kombeve demokratike perëndimore, të liderit të rezistencës shqiptare, teksti i të cilit ishte pak e shumë si më poshtë:  “Një apel për të gjithë kombet e lira, demokratike e anti-komuniste! Megjithëse jemi në dijeni të sakrificave të panumërta të popullit shqiptar në këto shtatë vite të gjatë nën regjimin barbar e të pashoq të komunizmit, dhe gjithashtu të vullnetit të pandryshueshëm të popullit shqiptar për revolucion kundër pushtetit aktual, ne gjithsesi besojmë se Shqipëria nuk mund t’ia arrijë të çlirojë veten e saj nga brenda, vetëm me forcat e mjetet që ka në dispozicion. Ajo ka nevojë për ndihmë nga jashtë, prandaj i drejtohemi Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë dhe kombeve demokratike, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe mbretërisë britanike. Ne u bëjmë apel për të në dërguar mjetet e nevojshme, përfshi dhe armë e municione, në mënyrë që të realizojmë qëllimet për të cilat sakrifikuan jetën e tyre Mark Gjonmarkaj, Jup Kazazi, At Anton Arapi, At Lek Luli, Ndoc Mirakaj, Alush Lleshanaku, Halil Alia, Bahri Omari, Kol Tromara dhe Prek Cali. Ne besojmë se çështja shqiptare është e lidhur ngushtë me interesat ndërkombëtare politike e strategjike. Çlirimi i Shqipërisë do të zhdukë nga tokat e Adriatikut një pikë të rëndësishme të epidemisë së kuqe, që po përpiqet të depërtojë sa më thellë në Evropë. Të bindur se paneli ynë do të gjejë mbështetje te ju, ju kërkojnë të pranoni mirënjohjen tonë. Nënshkruar: Komiteti qendror, Lidhja Kombëtare e Maleve”

Marrëdhëniet me Titon dhe eliminimet

Situata e komunistëve të Shqipërisë u përkeqësua pas konfliktit mes Titos e Moskës. Fakti është se Shqipëria nuk është një satelit i Moksës, por një nën-satelit. Shqipëria nuk qeverisej nga Stalini por nga Tito. Drejtimi politik, ushtarak e ekonomik ishte në duart e Titos. Instruktorët e ushtrisë dhe specialistët dërgoheshin nga Jugosllavia dhe portreti i Titos dhe Stalinit ishin të detyrueshëm në çdo zyrë, dhe debati mes Stalinit dhe Titos u ndje shumë në partinë komuniste shqiptare. Partia u nda në dy grupime të kundërta. Prova më e mirë për këtë ishte gjyqi i Koçi Xoxes dhe i shokëve të tij. Ne e dinim se përpara prishjes me Titon, Koçi Xoxe ishte diktatori i vendit dhe influenca e tij shkonte më tej se ajo e Enver Hoxhës.

Xoxe ishte një njeri i përgjakshëm që ka pasur funksionet më të larta si ministër i Brendshëm, president i këshillit të ministrave, president i gjykatës së popullit. Ai u dënua me vdekje më 12 të këtij muaji, i akuzuar si agjent i Titos. Pas gjyqit të tij pati një valë arrestimesh dhe arratisje drejt Jugosllavisë. Në Jugosllavi ka tani rreth 2000 emigrantë nga Shqipëria, të cilët u pritën shumë mirë nga Tito. Grupe të tjerë që nuk guxuan të shkonin në Jugosllavi u larguan në zona malore.

Përçarjet mes komunistëve

Partia Komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetësh janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura. Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000. Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoltës të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij. Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës, dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike. Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin.

Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet dhe municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull; i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike; Fundi i luftës civile në Greqi; Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit.

Situata politike në Shqipëri (1952)

Duke gjykuar nga raportet e ardhura deri tani, situata politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Armiqësia mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është aty por nuk ka tregues se mund të ketë një përplasje më të madhe së afërmi. Kongresi i dytë i partisë, i mbajtur në mars 1952, zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe tre të tjerë u transferuan për t’i kushtuar më shumë kohë aktiviteteve të partisë, çka do të thotë një rritje e disiplinës partiake. Kongresi u ndoq më pas nga një spastrim i gjerë i anëtarëve të partisë si rezultat i disiplinës së butë, përvetësimit të fondeve dhe provave të korrupsionit.

Kushtet ekonomike. Situata ekonomike ka qenë e dëshpëruar prej muajsh dhe nuk është përmirësuar. Kostot e ushqimeve nuk përballohen nga punonjësit e zakonshëm dhe shumë produkte janë të paarritshme. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të ndihmonte me grurë për popullatën. Ata kanë ndihmuar gjithashtu me materiale dhe makineri për ndërtimin e kapaciteteve industriale, por zhvillimet kanë qenë të ngadalta. Por hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni Tirana u kompletuan, bashkë me disa linja hekurudhore dhe zhvillime rrugore. Puna vazhdon për tharjen e liqenit të Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat.

Synimet e Jugosllavëve

Raportet e fundit tregojnë se ka një ndryshim në opinionin e Jugosllavisë për Shqipërinë, edhe pse ka ndryshime në qëndrimet e ndryshme të zëdhënësve jugosllavë. Një vit më parë Tito kundërshtoi veprimin ndaj Shqipërisë nga frika e hakmarrjes prej BRSS, që do të akuzonte vendin e tij për konspiracion kundër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, jugosllavët kanë kryer disa operacione agjenture në Shqipëri dhe Tito i është përgjigjur interesimit të ish-mbretit Zog duke thënë nuk ishte i interesuar të bashkëpunojë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës “për momentin” dhe nëse përmbysja ndodhte, ai dëshironte të shihte në Shqipëri një sistem të ngjashëm me atë të Jugosllavisë. Megjithëse raportimet e ndryshme ndryshojnë mes tyre, duket se jugosllavët po përshkallëzojnë politikën e tyre agresive ndaj Shqipërisë. Në maj 1952 Tito i tha emisarit të mbretit Zog se Jugosllavia nuk e vriste mendjen nëse Shqipëria bëhej republikë apo monarki, për sa kohë ishte miqësore ndaj Jugosllavisë dhe nga Jugosllavia nuk do të lejohej asnjë agresion mbi Shqipërinë prej frikës së një kundërpërgjigjeje të BRSS. Por Tito tregoi për gatishmëri për diskutimin e planeve të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, duke programuar bisedime në Turqi mes përfaqësuesve të Zogut e Titos.

Në disa fshatra operonin grupe ani-komuniste

Ka grupe të vogla rezistencë në shumë fshatra dhe qyteza, me njëfarë aktiviteti. Ato veprojnë në mënyrë të veçuar dhe nuk kanë kontakte jashtë vendit. Një numër kontaktesh kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me forcat e jashtme të rezistencës, një prej të cilëve ishte anëtar i Sigurimit. Megjithë mosbesimin e qeverisë ndaj policisë dhe ekzistencën e ndjenjës anti-qeveritare, popullit prej muajit mars u janë dhënë armë, në një raport ¼ me popullsinë. Këto janë për t luftuar kundër agjentëve të infiltruar dhe kapjes së broshurave apo pakove të furnizimeve të lëshuara nga ajri.

Ja situata ekonomike gjatë regjimit

Situata e ushqimit mbetet e rëndë dhe një kilogram bukë kushton 70 lek, ndërsa një punëtor i zakonshëm merr 75-120 lek në ditë. Grupet tona udhëtuese kanë arritur të mbijetojnë pa marrë ushqim nga banorët lokalë dhe kanë arritur me sukses të infiltrohen dhe eksfiltrohen (të hyjnë dhe të dalin ilegalisht nga vendi). Popullata ishte e kënaqur me idenë e lëshimit të ushqimit në emër të NCFA, por besojnë se ato u mbajtën nga anëtarët e partisë dhe asnjë njeri i thjeshtë nuk mundi të mbante pakot e gjetura.

Megjithëse qeveria përhapi lajmin se ushqimi ishte i helmuar, nuk ka asnjë provë se kjo është besuar nga populli. Dokumentacioni që mbante me vete grupi ynë nuk u zbulua nga autoritetet që i ndaluan dhe kontrolluan, si dhe nga miqtë me të cilët kontaktuan. Grupi raportoi se ishte e domosdoshme që grupe të ardhshme të pajiseshin me karmonedha shqiptare.

Ja si britanikët infiltronin agjentë

Që prej 1 prillit ka pasur grupe që janë infiltruar me sukses në rrugë tokësore në Shqipëri. Gjithashtu një agjent i BGFIEND shoqëroi një grup të infiltruarish britanikë në rrugë detare. Grupi që u rikthye brenda një periudhe të shkurtër nga veriu i Shqipërisë në Jugosllavi, do të dërgojë raportin e tij mbi të dhënat.

Tre anëtarë të një grupi të dytë kanë dalë nga vendi, duke lënë në vend vetëm katër anëtarë. Ata kanë raportuar gjerësisht mbi rrugëtimin e tyre. Një grup i tretë ka qenë në Shqipëri prej dy javësh, por nuk kemi asnjë kontakt me ta që prej infiltrimit. Operacionet tona të vitit 1952 kanë qenë më të suksesshme se ato të vitit 1951, kryesisht falë superioritetit të kalibrit të agjentëve.