Në Prevezë është folur shqip e është luftuar shqip!

Në Prevezë është folur shqip e është luftuar shqip!

620
0
SHPËRNDAJE

Kur ulesh mendon edhe lexon, shumë pak mjafton që të lexosh, kupton se ke jetuar me një iluzion deri më tani dhe gjithçka ke ditur dhe ndoshta beson sot, nuk është e vërtetë. Qenia njerëzore është shumë komplekse, po më kompleks është shqiptari, shqiptari i Malit të Zi, shqiptari i Kosovës, shqiptari i Maqedonisë, shqiptari i Greqisë, sidomos ky i fundit…

Ky do të jetë thelbi jonë për ditën e sotme, shqiptari i Greqisë, ose e thënë më mirë çami… Çami, Çamëria?!… Sa shumë ngjarje dhe dhimbje që mbajnë këto dy fjalë, vetvetiu të bën që të prekesh e të mendosh se sa të fortë kanë qenë dhe sesi e kanë përballuar një traumë të tillë, një masakër të tillë, se nuk kanë qenë të pakta.

Shfarosje dhe gjenocidi që greku ka bërë ndaj kësaj popullsie shqiptare ka qenë i denjë për film horror. Po kjo tokë nuk daton këto vitet e fundit, ajo na vjen e pranishme që në antikitet. Identiteti i lashtë i Çamërisë ka qenë emri Thesprot dhe aty përfshiheshin të gjitha tokat që sot i kanë kaluar Greqisë…

Një nga zonat më të përfolura është ajo e Prevezës, kufiri më jugor i asaj që më parë ka qenë Shqipëri e Madhe.

Preveza ndodhet vetëm 100 km nga Konispoli dhe në vitin 1910 numëronte plotë 60 mijë shqiptarë ,31304 mysliman, 29 593 mijë ortodoks dhe rreth 12% e popullsisë i përkiste etnitetit grek.

Statistikë tjetër vjen nga Bedri Pejani, firmëtari i pavarësisë dhe dorëzuesi i një memorandum në kongresin ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të popujve të mbledhur ne Gjenevë 1921.  Në këto të dhëna rezulton se popullsia në tërësi përbëhej nga 62 mijë 777 shqiptarë, përkundër 9 mijë  e 200 grekëve.

Mit’hat Frashëri ka thënë “A mund të merret me mend që Shqipëria e kufizuar nga konferenca e Londrës  më 1913, të jetë një Shqipëri e shëndoshë dhe solide? Asaj i janë privuar  tokat më të mira që kishte, fushat më të bukura, qendrat më të rëndësishme dhe janë shkëputur 2/3 e popullsisë.

Tokat pjellore të Janinës dhe Prevezës, kullat e famshme të Çamërisë, iu dhanë Greqisë”. Më 1913 u përpoqën të reagonin për të penguar mes shumë territoreve edhe aneksimin e Prevezës  që qeveria e Ismail Qemalit përmes një memorandumi e konsideronte një tokë tërësisht shqiptare.

Ndërsa Sami Frashëri,  ka thënë se në sanxhakun e Çamërisë bënte pjesë Preveza, Pamithisë, Margëlliçit e Lorosi. Frashëri ka shfrytëzuar regjistrat osman, që për hir të së vërtetës konsiderohen si dokumentet më të sakta, sa kohë që mbi to ishte mbështetur i gjithë sistemi i funksionimit të Perandorisë.

“Popullsia e tij arrin në 55 mijë banorë. Shumica janë mysliman e të tjerë të krishterë dhe një numër i vogël çifutësh. E gjithë popullsia myslimane dhe shumica e asaj të krishterë, janë shqiptar, përveç të krishterëve të vetë qytezës së Prevezës dhe të vendeve kufitare me Greqinë, të cilët janë grek.

Kazaja përfshin 179 fshatra 48 xhami e mesxhide, 2 medrese, 30 shkolla fillore kuranike, 220 kisha e manastirë, 450 dyqane, 50 mullinj e të tjera”.

Fati i Prevezës është luhatur gjithmonë përgjatë historisë. Qyteti i gjen themelet në një qendër të lashtë të quajtur Nikopojë. Gjithçka endet midis betejave të mëdha romake të Oktavianit dhe Mark Antonit, në aleancë me Kleopatrën e Egjiptit. Përplasjet e tyre në gjirin e Ambrakisë, janë të famshme në botën e antikitetit. Në këto zona historitë pleksen me Pirron e Epirit, me dyndjet e mëpasshme sllave që shkatërruan gjithçka, e  qytetin e sotëm që lindi me emrin Prevezë.

Ai përmendet për herë të parë në dokumente të shkruara në periudhën bizantine, por elementët më të detajuar vijën nga një prej historianëve më të rëndësishëm të shekullit XX, i cili nga krahu tjetër dëshmon edhe themelimin e tij nga banorët autokton shqiptarë.

Kemi të bëjmë me një historian amerikan, Nikolla A., i cili i ka dedikuar gjithë jetën studimit të Epirit dhe në veprën e tij “ Epirus”, por edhe në vepra të tjera ai thotë se qyteti i Prevezës i takojnë fillesat e ndërtimit të tij nga shqiptarët, që banonin në territoret përreth dhe i dhanë formën si qytet dhe si fortifikim bregdetar, po ata gjatë shekullit të XII. Afërsisht rreth viteve 1100-1200.

Në shekullin e XVI trupat detare osmane të drejtuar nga një pirat i famshëm, sipas të dhënave me origjinë shqiptare, Hajredin Barbarosa u vu ballë një ushtrie të jashtëzakonshme vendesh të krishtera, që u cilësuan jo më kot si flota e shenjtë që udhëhiqej nga gjenerali Andrea Doria. Gjithçka bëhej për pushtimin e qytetit të Prevezës. Madje në këtë beteje u vra dhe Andrea Doria.

Historiani Irakli Koçollari shprehet kështu “Perandoria Osmane nuk ishte shquar ndonjëherë për fuqinë e flotës së saj detare, në tokë po, por në det jo. Për herë të parë, në mënyrë të çuditshme, flota turke e udhëhequr nga Hajredin Barbarosa korri atë fitore të bujshme dhe të papritur kundër gjithë aleancës perëndimore komanduar nga gjenovezi Andrea Doria, ku edhe u vra Andrea Doria.

Për shkak të kësaj fitoreje të bujshme, që i dha një emër shumë të madh flotës, por edhe fuqisë detare osmane. Duhet të them se edhe sot marina detare ushtarake turke, ka një nëndetëse luftarake me emrin “Preveza” në kujtim të asaj beteje të Prevezës”.

Aq rëndësi kishte ky port sa edhe sot në pallatin Piti të Firences, gjendet një murale e quajtur “Pushtimi i Prevezës”. Balancat, gjeopolitika, lëvizte mbi këtë qytet e në të gjithë Epirin. Venecianët e rimarin Prevezën disa shekuj më vonë, por kjo do të zgjaste deri kur të dilte në skenë Napoleon Bonaparti. Në 1797 nënshkruhet taktati ndërkombëtar i Campo Formios mes francezëve dhe monarkut austriak.

Pikërisht në disa nene është edhe heqja e të drejtave të venecianëve nga Praveza dhe qytetet e tjera bregdetare, të cilat kalonin nën zgjedhën e ushtrisë franceze.

Ky ndryshim ngjalli jo pak shqetësim tek Ali Pashë Tepelena, i cili ndjeu rrezikun evancimit të mëtejshëm të francezëve në territoret e kontrolluara prej tij. Në 1879 në Prevezë u mbajt një ndër kuvendet më të famshme që kundërshtoi presionin e Greqisë ndaj portës së lartë për të aneksuar pjesë të mëdha të Çamërisë.

Gjatë kohës që patriotët shqiptarë po merreshin me çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte presion të vazhdueshëm Portës së Lartë që të zbatonte menjëherë Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit, domethënë të fillonte bisedimet me palën greke për të caktuar kufirin e ri midis tyre sipas vijës Kalamas-Selemvria që kishin rekomanduar Fuqitë e Mëdha.

Nën trysninë e protestave shqiptare, Porta e Lartë e zvarriti për muaj me radhë përgjigjen e saj, me shpresë se me kalimin e kohës do të krijoheshin rrethana më të favorshme për të. Por në fund të vitit 1878 ajo u detyrua të pranonte se ishte gati të fillonte bisedimet me qeverinë greke. Konferenca dypalëshe u vendos të zhvillohej në Prevezë, në fund të janarit 1879.

Sapo u hap lajmi i mbledhjes së afërt të konferencës, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës ftoi të gjitha kazatë e Shqipërisë së Jugut dhe të gjithë sanxhakët e Shqipërisë së Veriut, që të dërgonin sa më parë përfaqësuesit e tyre në një kuvend të jashtëzakonshëm në Prevezë, për të përcaktuar qëndrimin që duhej mbajtur ndaj konferencës turko-greke. Në Kuvend u ftuan të merrnin pjesë posaçërisht përfaqësuesit e komiteteve ndërkrahinore të Prizrenit dhe të Shkodrës.

Kuvendi i Prevezës u hap më 11 janar 1879 me pjesëmarrjen e rreth 400 delegatëve, të cilët, pasi e shpallën veten si krerë të mbarë Shqipërisë, morën një sërë vendimesh politike e ushtarake. Kuvendi nuk e kundërshtoi plotësisht Protokollin nr.13.

Delegatët deklaruan se e pranonin rekomandimin e Fuqive të Mëdha për bashkimin e Thesalisë me Greqinë (deri te lumi Selemvria), porse ishin kategorikisht të vendosur për ta kundërshtuar deri në fund lëshimin e Epirit Mbretërisë Greke (deri te lumi Kalamas).

Në rast se Fuqitë e Mëdha, thuhej në rezolutën e Kuvendit, nuk do t’i marrin parasysh interesat e Shqipërisë, atëherë shqiptarët do t’i kundërshtojnë me armë vendimet e tyre. Për këtë qëllim, thuhej më tej, “do të mobilizohen, me shpenzimet e Lidhjes, të gjithë shqiptarët e aftë për luftë”. Në fundin e janarit 1879 filluan të vinin në Prevezë edhe delegatë nga viset e Shqipërisë së Veriut, nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Ulqini, Prizreni, Dibra, Novi Pazari etj.

Para se të shpërndahej, Kuvendi i Prevezës formoi tri komisione me detyra të posaçme. I pari, komisioni politik, që do të qëndronte në Prevezë për të ndjekur nga afër punimet e konferencës turke-greke; i dyti, komisioni ushtarak, që do të shpërndahej në Shqipëri për të organizuar forcat luftarake të Lidhjes; i treti, komisioni diplomatik, që do të shkonte në Stamboll për t’i bërë trysni Portës së Lartë që të mos pranonte lëshimin e trojeve shqiptare Greqisë.

Në krye të komisionit të tretë u vu Abdyl Frashëri, meqenëse ky do të merrte pjesë edhe në delegacionin e Kuvendit të Dibrës. Për këtë arsye ai e shtyu për më vonë nisjen e tij për t’i paraqitur Portës së Lartë rezolutën e 1 nëntorit 1878.

Delegacioni osman arriti në Prevezë javën e fundit të janarit 1879. Atë e kryesonte mareshali Ahmet Muhtar pasha, i cili gëzonte një konsideratë të veçantë në Perandorinë Osmane për qëndresën që kishte bërë gjatë luftës së fundit kundër ushtrive ruse.

Sulltani shpresonte se, për hir të kësaj konsiderate, mareshali do t’i zbuste shpirtrat e revoltuar të shqiptarëve. Për të njëjtin qëllim, në delegacionin prej tre komisarësh, siç u quajtën anëtarët e tij në atë kohë, ishte vënë edhe një personalitet i njohur shqiptar, Abedin bej Dino (komisar i Bursës së Stambollit), anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës, i cili u emërua nga sulltani që të qetësonte opinionin publik shqiptar. Por as njëri, as tjetri nuk patën sukses.

Sapo delegacionet turke e greke arritën në Prevezë, më 28 janar, delegatët e Kuvendit së bashku me popullsinë qytetare shpërthyen një demonstratë në rrugët e Prevezës, duke shprehur përpara selive të komisioneve turke e greke vendosmërinë e tyre për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe për të mos pranuar asnjë lëshim të trojeve të tyre në dobi të Greqisë.

Po më 28 janar 1879 përfaqësuesit e krahinave shqiptare, që ndodheshin në Prevezë, u drejtuan Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në këtë qytet, një protestë kategorike, me të cilën paralajmëronin se do të ndërmerrnin një luftë vendimtare me pasoja të thella për paqen në Gadishullin Ballkanik, në rast se nuk do të merreshin parasysh të drejtat territoriale të Shqipërisë dhe do të cenohej tërësia e saj tokësore.
Për shkak të demonstratave kërcënuese të shqiptarëve, të cilat vijuan për disa ditë me radhë, konferenca turko-greke filloi me vonesë, më 6 shkurt 1879.

Veç kësaj, presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin osman që të mos u nënshtrohej kërkesave greke.

Duke u justifikuar me rrezikun e shpërthimit të kryengritjes kundërosmane në Shqipëri dhe duke u kapur pas faktit se vija Kalamas-Selemvria, që kishin shënuar Fuqitë e Mëdha në Protokollin nr.13 nuk kishte formën e një vendimi, por të një rekomandimi, Ahmet Muhtar pasha u tregua më në fund i gatshëm t’i lëshojë Greqisë Thesalinë, por jo Epirin. Meqenëse Athina nuk e pranoi këtë zgjidhje, pas gjashtë javësh konferenca e Prevezës u mbyll.

Menjëherë pas dështimit të bisedimeve dypalëshe qeveria e Athinës kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të cilat në të vërtetë ishin të prirura për të vënë në jetë Protokollin nr.13. Ndërkohë edhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare formuan bindjen se lufta paraprake kundër vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha për një çështje të tillë, siç ishte tërësia territoriale e Shqipërisë, nuk mund të zhvillohej me sukses vetëm me anë të memorandumeve e të protestave. Kërkohej një ballafaqim me përgjegjësi me politikën e jashtme të Fuqive të Mëdha për të argumentuar ballë për ballë tezat themelore dhe për të sqaruar çdo pikë të errët, që mund të ngrinte aparati i tyre diplomatik.

Për këtë qëllim Komiteti Ndërkrahinor vendosi që, krahas peticioneve e memorandumeve, të niste një mision diplomatik në kryeqytetet kryesore të Evropës për të mbrojtur çështjet e parashtruara në ato dokumente dhe për të argumentuar para kancelarive të tyre padrejtësinë që kishin kryer me Protokollin nr. 13 ndaj interesave jetikë të Shqipërisë. Barra e këtij misioni diplomatik iu ngarkua Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit.
Misioni diplomatik i përfaqësuesve të Lidhjes Shqiptare zgjati tre muaj. Ata u nisën nga Preveza në fund të muajit mars 1879, shkuan në Romë, në Paris, në Londër, në Berlin, në Vjenë e në Stamboll?. Kudo ku shkuan ata u paraqitën si të dërguar të Lidhjes Shqiptare, e cila përfaqësonte gjithë Shqipërinë.

Ata u dorëzuan ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha dhe për njoftim edhe Portës së Lartë, një memorandum me të njëjtën përmbajtje që ishte hartuar nga Abdyl Frashëri qysh më parë.

Shqiptarët nuk ishin gati për luftë dhe këtë e dinin shumë mirë grekët, ndaj dhe e shfrytëzuan në mënyrën më të mirë të mundshme për të fituar atë që deshën…

Bazuar në emisionin televiziv “Gjurmë Shqiptare” të Marin Memës