Mallakastra dhe nafta e saj, synimi i britanikëve

Mallakastra dhe nafta e saj, synimi i britanikëve

564
0
SHPËRNDAJE

Në numrin e sotëm të Dossier-it mbi aktivitetin e S.O.E britanike në ngjarjet e lidhura me Shqipërinë e 1942-it, kemi përzgjedhur për të botuar dy dokumente, të cilat japin disa informacione me mjaft interes për të kuptuar prapaskenat e zhvillimeve politike në atë kohë. Zyra S.O.E britanike për Shqipërinë, e cila operonte nga Stambolli me synim krijimin e operacioneve diversive në Shqipëri, mundohej që me anë të infiltrimit të shqiptarëve të rekrutuar në Mërgatën e Stambollit të krijonte vatra rezistence kundër italianëve.

Dokumenti i parë i botuar sot tregon qartë përpjekjen e Zyrës së Stambollit për të rekrutuar oficerë të ish-ushtrisë Mbretërore për t’u infiltruar në një prej zonave që sipas tyre, nuk kishte asnjë aktivitet kundër italianëve, zona e Mallakastrës.

Me sa duket, informacioni që kishin britanikët tregon se kjo zonë nuk kishte shenja anti-italiane dhe ata kërkonin infiltrimin e personave që do të krijonin rezistencën anti-italiane. Nëse informacioni britanik ishte i saktë apo jo, kjo vlen për t’u konfirmuar me dokumentacionin e kohës mbi lëvizjen anti-italiane në këtë zonë, por gjithsesi shikohet një interesim mjaft i madh i britanikëve për Mallakastrën.

Duke pasur parasysh që kjo ishte edhe një zonë me mjaft interes për sa i përket aktivitetit në nxjerrjen e naftës nga italianët, kuptohet edhe interesimi britanik për ta kthyer këtë zonë në një zonë problematike.

Por fakti më interesant në këtë dokument (megjithëse vjen në një mënyrë të tërthortë), është se Shërbimi Britanik është shumë i kujdesshëm për të mos krijuar përplasje me pretendimet territoriale greke për Jugun e Shqipërisë. Ky kujdes konfirmon një sërë dokumentesh të tjera, të cilat theksojnë faktin që Ministria e Jashtme Britanike i kishte përkrahur pretendimet territoriale të Greqisë në Jugun shqiptar pas luftës. Dokumenti tjetër i botuar sot, ka edhe ai mjaft interes për të shikuar prapaskenat dhe interesat që luheshin në mesin e Mërgatës Shqiptare të Stambollit, ku një pjesë e mirë e ish-qeveritarëve mbretërore tashmë qëndronin.

Javën e kaluar botuam disa dokumente britanike, ku flitej mbi figurën e Musa Jukës, ish-ministri i Brendshëm i Zogut. Figura e Jukës duket qartë që vlerësohej nga Shërbimi Britanik, i cili kërkesës së tij për bashkëpunim me sa duket, i është përgjigjur pozitivisht. Britanikët, në dokumentet e tyre shprehen se Musa Juka ka qenë një person mjaft i aftë dhe shumë i zoti në menaxhimin e punëve të koklavitura të Mbretërisë Shqiptare. Megjithatë, duke pasur parasysh reputacionin që me sa duket ka qenë mjaft negativ në mesin e Mërgatës Shqiptare në Stamboll, por edhe në Shqipëri, kanë preferuar që të jenë shumë të kujdesshëm në bashkëpunimin me të.

Duhet të kihet parasysh se personi që drejtonte Zyrën e SOE në Stamboll, e njihte Shqipërinë shumë mirë dhe kishte jetuar një numër të madh vitesh në Shqipëri. Në këtë mënyrë nuk kishte se si të mos e njihte këtë reputacion. Nuk vihet në dyshim që bashkëpunimi i ish- qeveritarëve mbretërorë si Juka me Shërbimet Sekrete britanike bëheshin kundër Italisë fashiste dhe kjo nuk tregon një “tradhti” të Musa Jukes ndaj çështjes Shqiptare.

Vendosja e rrjetit informativ (sipas anglezëve) të ish-Zyrës Sekrete Mbretërore në shërbim të britanikëve mund të jetë një veprim i diskutueshëm, por gjithsesi, është në kuadër të luftës kundër fashistëve. Pranimi i pagesave nga ana e britanikëve për sigurimin e informacionit, sigurisht që justifikohet me situatën e vështirë ekonomike që ish-zyrtarët mbretërore kishin në Stamboll.

Që z. Juka ishte një person ambicioz dhe pragmatist nuk ka dyshim dhe kalkulimi i një rikthimi në pushtet me ndihmën britanike nuk ka përse të mos ketë qenë pjesë e llogaritjeve të tij politike. Megjithatë, në dokumentin e botuar sot shikojmë se britanikët kishin dijeni se Musa Juka ishte në kontakte të vazhdueshme me oficerin kryesor të Shërbimit Sekret Jugosllav, duke i sjellë atij edhe mesazhe nga një prej figurave kryesore të ngjarjeve në Jugosllavinë e viteve ’40, A/H 31 apo Gjenerali i shumë përfolur, Drazha Mihailovich.

Që një politikan i kalibrit të Jukës të kishte kontakte me politikanë të të gjitha nacionaliteteve nuk ishte aspak e jashtëzakonshme, por kontaktet e vazhdueshme me oficerët e Zbulimit Jugosllav sjellin një aspekt tjetër në figurën komplekse por mjaft interesante të një prej ministrave të Brendshëm, më jetëgjatë të Mbretërisë Shqiptare. [email protected]

Infiltrimi i Musa Jukës

104/274/Alb 16.6.42 Për SOE, Kajro
Kopje për SOE në Londër Nga D/H 274

Juka ka katër ditë në shtrat i sëmurë me rrahje të shpeshta zemre dhe dukej shumë keq mbrëmë. Ai më tha që përsëri dëshironte që të shkonte në Kajro për t’u konsultuar sipas pikave të shprehura nga MONKEY por për mendimin tim do ta vrisnim me duart tona nëse ai bën këtë udhëtim në gjendjen që është.

Kohët e fundit ai ka qenë sëmurë dhe i duhej të bënte një operacion të vogël dhe me motin shumë të nxehtë ka filluar tashmë të ketë shqetësime në zemër. Për mua gjendja e tij shëndetësore e bën të pamundur infiltrimin në Shqipëri.

Duke pasur parasysh që infiltrimi i tij mund të mos ketë vlerën që pritej ndoshta vendimin për këtë infiltrim mund ta hiqnin nga vetja. Mbrëmë ai e quajti idenë e përdorimit të një nëndetëse “marrëzi” e cila nënkupton se edhe kur gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet ai nuk do të jetë dakort për një infiltrim të tillë. Ndoshta i biri ja ka mbushur mendjen që të tërhiqet.

Ky djalosh ka vullnet dhe aftësi bindëse dhe kohët e fundit Juka ja dëgjon shumë fjalën. Ndoshta mund të jetë edhe shëndeti. Mbrëmë më foli edhe për vdekjen disa herë, duke me thënë se ‘më shpresë të Zotit do shihemi përsëri në Shqipëri”. Megjithatë mendoj se ai duhet ta ketë konsideruar seriozisht infiltrimin në Shqipëri, as më tepër që e ka biseduar edhe me agjentin DERRICK.
Juka më kërkoi shpenzimet për rrugën. Shpresoj që Ju të jeni dakort që ato duhet t jenë shpenzimet tona. Gjithashtu ai kërkon leje për të marrë djalin e tij me shpenzimet tona. Besoj se kjo kërkesë është e lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Unë nuk i thashë gjë për shpenzimet e personin që kërkon të marrë me vete, por shpresoj që edhe këto t’i mbulojmë ne.
Musa Juka për udhëtimin e tij për në Kajro është konsultuar me A/H 21 (zbulues i Shërbimit Jugosllav, i quajtur V.P). A/H 21 ka rënë dakort me këtë udhëtim, por ka treguar pakënaqësi ndaj MONKEY dhe është përpjekur të zbulojë mënyrën e komunikimit të Jukës me MONKEY.
Juka më tha në intervistën që kishte me mua, se ai i ka pranuar A/H 21 faktin që jemi takuar së bashku. Megjithatë edhe kjo pikë nuk është e mjaftueshme pasi D/H 18 (oficer i zbulimit britanik shën. ynë) thotë se informacioni mbi A/H 31 (Gjenerali Drazha Mihailovic) vjen nga Musa Juka. D/H 18 i ka çuar informacionin mbi Drazha Mihailovich A/H 21, duke i thënë edhe burimin se nga vinte ky informacion.

Duke marrë parasysh që informacioni vinte direkt nga Juka me sa duket A/H 21 e ka takuar Jukën menjëherë.
Është me të vërtetë provokues fakti që A/H 21 di mbi rolin tim. Juka më tha gjithashtu diçka që kisha harruar ta dërgoja në raportin tim. A/H 21 i ka kërkuar atij që ta ndihmojë për të organizuar një revoltë në Shqiperi.

Juka i ka kërkuar atij një garanci. A/H 21 u tregua mjaft i gatshëm duke i thënë atij se Shqipëria nuk ka përse të ketë frikë nga Jugosllavia, pasi ata i kanë synimet për në Veri. Me të vërtetë një gënjeshtër e trashë,
D/H 18 më ka raportuar se A/H 21 nuk e përdor më agjentin PROFIT. A/H 21 thotë që ai tashmë përdor një person tjetër, por PROFIT vjen dhe është prezent në bisedat e tyre. Juka më ka informuar se PROFIT është i shitur tek italianët.
Firmosur D/H 27

Oficerët Shqiptarë
19/274/Alb 16.4.42 Për S.O.E Kajro
Kopje për S.O.E Londër Nga D/H 274

1. Paragrafi i 2 në këtë Telegram hedh idenë se një apo dy oficerë mund të kryejnë rolin e Liderit në Shqipërinë Veriore. Ky Telegram nuk është i kuptueshëm. A do të thotë që rekrutime për Shqipërinë e Jugut nuk do të ketë? Mendoj se ka më shumë mundësi për udhëheqës të guerriljeve në Jug të Shqipërisë se sa në Veri ku M.B është tashmë aktiv. Në fakt ai është më shumë në Veri Lindje të Shqipërisë. Përveç minierave të kromit në Veri të Kukësit si dhe të autokolonave në rrugën e re Shkodër-Kukës nuk ka hapësirë tjetër për aktivitetet e tija. M.B është raportuar se ka shqetësuar disa garnizone të vogla italiane, por deri këtu asgjë më shumë.
2. Propozimi për Mallakastrën i dërguar tek Ju me Telegramin tim Nr. 1494/5 i 10.4.42, duket shumë premtues pasi deri më tani duket se nuk ka rezistencë të organizuar kundër Italianëve në atë zonë. Këta oficere mund ta mbulojnë zonën. Duhet të kini parasysh se në Veri nuk ka bejlerë, por vetëm kryetarë fisesh dhe klanesh, ndërsa në jug ka vetëm bejlerë. Kryetarët e fiseve në Veri komandojnë një mbështetje më natyrale se sa Bejlerët e Jugut. Prandaj, Lëvizja në Veri ka emra si Kaloshi, Bajraktari, etj, ndërsa Lëvizja në Jug është anonime.
3. Megjithëse të dy oficerët nga Mallakastra e kuptojmë mjaft qartë se për këtë Mision do të pranohen apo skualifikohen prej teje përsëri kanë sjellë me vete edhe një oficer tjetër si dhe kanë premtuar të gjejnë persona të tjerë nga zona e tyre. Homogjeniteti është shumë i rëndësishëm për një Bandë shqiptare. Një lider guerile nuk mund të operojë jashtë zonës së tij nëse ai nuk është i sigurt për sigurinë e njerëzve të tij si dhe të sigurojë ushqime. Nëse ai del jashtë zonës së tij ai nuk do të njohë njerëzit si dhe nuk do ta ndjejë veten të sigurt si dhe nuk mund të komandojë besnikërinë e ndonjë prej familjeve të fuqishme apo klaneve të zonës. Po kështu njerëzit lokalë nuk do ta njohin atë mirë, kështu që nuk do të rrezikojnë të dërgojnë ushqime bandës.
4. Zona e Mallakastrës duket një zonë mjaft e mirë për ta hapur për operacione. Më mirë mund tja u përshkruaj si një zonë kodrinore midis Vlorës dhe Beratit.

Ofron një mundësi të mirë për operacione guerile si dhe ka mjaft pyje ku njerëzit tanë mund të fshihen. Nuk është një zonë e cila pretendohet nga Grekët kështu që ne nëse do ta dërgojmë bandën marrëdhëniet tona me grekët nuk komplikohen. Të dy oficerët nuk e kanë prekur fare çështjen e Grekëve. Mallakastra është rreth 4 orë nga Tirana me kamion, kështu që mesazhet mund të dërgohen me lehtësi. M.B është rreth 8 orë larg nga Tirana.
5. Zyra këtu Raporton se parashutimi ka qenë zhgënjyes me personat e trajnuar dhe infiltrimi me Nëndetëse është një opsion më i mirë. Mallakastra me vendasit dhe me objektiva të qarta por dhe me një det të thellë ofron kushte shumë të mira për përdorimin e nëndetëses. Ju lutemi konsideroheni edhe një herë bazuar në të dhënat e mësipërme.
6. Nuk ka përgjigje përfundimtare për marrëdhëniet midis M.B dhe oficerëve të Mallakastrës, por nuk përjashtohet mundësia që ata të punojnë sëbashku.
7. Megjithë insistimin për të parashutuar dhe me mundësinë që personat mbi 30 vjeç nuk mund të trajnohen për këtë gjë kemi një mungesë të theksuar oficerësh dhe ushtarësh për këtë gjë. Megjithatë kemi mundësi shumë të mirë që të rekrutojmë një bandë nga Mallakastra si dhe disa persona për të punuar me M.B Firmosur D/H 274

 

Auron Tare