Serbët dhe latinët sollën osmanët në tokat arbërore

Serbët dhe latinët sollën osmanët në tokat arbërore

185
0
SHPËRNDAJE

Në shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe një pjesë të mirë të zonës së pasur të Vagenetisë (Çamërinë e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së Artës.

Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar i shqiptarëve, i cili, siç është theksuar tashmë, i thirri për herë të parë osmanët në këto anë më 1380 kundër shqiptarëve.

I mbështetur dhe nga një pjesë e parisë serbo-bizantine të Janinës, Thomai mundi ta ruante sundimin brenda mureve të Janinës, deri në vrasjen e përgjakshme të tij, në vitin 1386. Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli (1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si përfaqësues i interesave të huaja në atë qytet e në krejt Epirin, ndoqi që në fillim një politikë agresive ndaj sundimtarëve shqiptarë të kësaj treve, veçanërisht ndaj Gjon Zenebishit.

Me ndihmën e reparteve osmane ai i mori këtij të fundit portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës e Kastrovilës, buzë detit Jon (Çamëri e sotme). Por në pranverën e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të despotit Ezau një disfatë fatale gjatë një beteje në Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti i Janinës u zu rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq e mbylli në burgun e kështjellës së tij të Gjirokastrës.

Të gjithë aleatët e Ezaut, nga komuna e Firences, që e kishte qytetar të vetin, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut e deri te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë te Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin Bua Shpata i Artës.

Ezau u lëshua kundrejt një shpërblimi të majmë prej 10 mijë copë florinjsh. Gjithsesi, ai pushoi së qeni një shqetësim për zotërimet e Zenebishit, i cili shtiu përsëri në dorë limanet dhe tregjet bregdetare nga Sajadha e Kastrovila e deri në Pargë. Porse mbajtja e këtyre vendeve bëri të pashmangshëm një konflikt të ri me Republikën e Venedikut.

Përleshjet e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar që në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në dorë ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe disa nga qendrat kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit, si Butrintin, Ksamilin dhe Sajadhën.

Kjo e fundit u rimor prej Gjonit aty nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht për kriporet me famë të atij vendi, të cilat konkurronin rëndë kriporet veneciane të Korfuzit, u luftua me këmbëngulje si nga Venediku, ashtu edhe nga Zenebishi. Në një letër, që i çonte për këtë çështje Senatit të Venedikut në qershor 1401, Gjon Zenebishi bënte të qartë se “paqja e tij me Republikën do të sigurohej vetëm kur Venediku të hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës, që ai i kishte trashëguar nga të parët dhe që ishin buka e ti

Megjithatë, rrethanat e krijuara në vitet e para të shek. XV e detyruan Gjon Zenebishin të hiqte dorë si nga Sajadha, ashtu dhe nga Kastrovila e Parga dhe të kërkonte rregullimin e marrëdhënieve me Republikën e fuqishme të Venedikut. Vdekja e despotit Ezau, më 1411, nxori përsëri në plan të parë problemin e pushtetit në Janinë.

E veja e Ezaut, Evdokia Balsha, vajzë e të famshmit Gjergjit I Balsha, iu kundërvu përpjekjeve të një pjese të parisë së qytetit, që donte t’ia dorëzonte qytetin nipit të despotit Ezau, kontit të Qefalonisë, Karl Toko.

E mbështetur kryesisht nga shtresat e ulta dhe të mesme të qytetit, “despina e Arbërisë” hyri në traktaktiva me Gjon Zenebishin, gjë që vuri në lëvizje përkrahësit e Karl Tokos. Pas një komploti të organizuar prej tyre, despina Evdokia u detyrua të braktiste qytetin dhe të strehohej përkohësisht te Gjon Zenebishi në Gjirokastër. Ambiciet e despotit të ri të Janinës, Karl Tokos, që synonte të vinte nën sundimin e tij të gjitha territoret e Despotatit të dikurshëm të Epirit, e çuan atë drejt një ndeshjeje të pashmangshme me zotin e fuqishëm të Gjirokastrës.

Në verën e vitit 1411 Gjon Zenebishi i zuri rrugën në Kranesë (Mesopotam) ushtrisë së Karl Tokos, që kishte depërtuar në thellësi të zotërimeve të tij dhe synonte të kapte Gjirokastrën. Në betejën e ashpër të zhvilluar në atë vend, forcat e Zenebishit arritën një fitore të bujshme duke e asgjësuar krejtësisht ushtrinë e Tokos. Paskëtaj, ky u përpoq t’i bënte ballë sundimtarit shqiptar duke u mbështetur kryekëput tek aleanca që lidhi me osmanët dhe që u vulos edhe me martesën e vajzës së tij me Musa Beun, pretendentin e fronit.

Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve të Epirit, e shtyu Gjonin të kërkonte aleancën e Republikës së Venedikut. Në korrik të vitit 1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t’i vinte në dispozicion 30 balestrierë, me të cilët të mund të mbronte këshjellat e tij dhe njëherësh të ndalte vërshimin e osmanëve në brigjet e Jonit.

Në të njëjtën kohë, sundimtari shqiptar kërkonte nga Venediku që të lejohej të blinte disa prona në Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se do të detyrohej të largohej nga vendi i tij.

Në fakt, deri në atë kohë, në Korfuz ishin vendosur mjaft familje shqiptare të ikura nga zotërimet e Zenebishit për shkak të kushteve të rënda të krijuara nga inkursionet e osmanëve. Në verën e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30 000 vetash, e thirrur nga Karl Tokoja, hyri në zotërimet e Zenebishit. Pasi pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza Beu, dhëndër i Tokos, rrethoi Gjirokastrën.

Sundimtari plak i Gjirokastrës mundi t’i bënte ballë këtij sulmi të parë mbi kryeqendrën e tij, por, kur osmanët ndërmorën në vjeshtën e parë të atij viti, një fushatë të re akoma më të fuqishme, ai nuk jetonte më dhe djemtë e tij ua lëshuan atë osmanëve dhe u strehuan në Korfuz.

Nga Korfuzi trashëgimtarët e sebastokratorit të shquar, Gjon, të mbështetur edhe nga Venediku, Papati dhe Mbretëria e Napolit, nuk i reshtën përpjekjet për të çliruar zotërimet atërore, duke organizuar e duke u vënë në krye të kryengritjeve të fuqishme antiosmane.