KUSH ISHTE JOSIF BAGERI ? ( pjesa e parë)

KUSH ISHTE JOSIF BAGERI ? ( pjesa e parë)

121
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Fahri XHARRA

“Dëshira dhe qëllimi ynë – shkruante Bageri – âsht të ç`gjumim kombin prej gjumit rônd dhe t’a shohëm të nisun në udhët gjënd të kjytetnimit dhe t’kullturës”.

( Edhe një shkrim për të gjithë “shkencëtarët shqiptar , gllabëruesit sllav si dhe mohsave të ndryshëm të cilët mundohen që një pjesë vitale të kombit për shkak të përkatësisë së tyre fetare-ortodokse t`a shkëpusin nga trungu i madh shqiptar . Pra, ja që edhe rilindasi i madh Josif Bageri ishte “shka”- shqiptar ortodoks, patriot shumë i madh i kohës dhe mik i Naimit )
Një nga emrat e dalluar gjatë historisë nga shqiptarët ortodoks është Josif Bageri, i lindur në Nistrovë të Rekës, në vitin 1870, në një familje e shquar për atdhedashurinë e saj, por i njohur si një nga atdhetarët dhe intelektualët e dalluar shqiptarë të periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Në fund të jetës së tij, Josif Bageri, në fshatin e tij të lindjes ka lënë një shkollë shqipe, varrin e të birit në Manastir dhe identitetin shqiptar të përulur nga forca e besimit ortodoks, forca e trysnisë shtetërore të perandorisë së sllavëve të jugut, si dhe gjendja po kaq e rëndë social-ekonomike. Në jetën e vogël personale, politike e identitare të Josif Bagerit e të vendlindjes së tij shfaqen dy premisa, që janë rezultat i përfundimit të një perandorie të vjetër dhe mbivendosjes së një Perandorie të re, po kaq e huaj për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar e të kulturës së tij, që më së miri mbase shfaqen në letrën e të birit të tij Kristos ‘se do të luftoj për Maqedoninë’ dhe mesazhit për të, ‘që të vazhdojë luftën për Shqipërinë’.
Mesazhi i të birit në të vërtetë shprehë jo vetëm mesazhin personal të familjes së tij, por pa dyshim edhe gjendjen shpirtërore, kombëtare dhe identitare të popullit shqiptar, që paraqitet nga lufta për natyrën e alfabetit (arab, latin apo grek) deri te lufta për fytyrën e Shqipërisë (perandorake – nuk dua te them këtu islamike; europiane, – e cila nuk nënkupton njëkohësisht edhe të krishterë; apo ballkanike, – (pa forme dhe pa identitet).
Në historinë e popullit shqiptar janë disa periudha, personalitete dhe breza të cilat në një mënyrë apo një tjetër e përsërisin njëra – tjetrën, nga njëri qindvjeçarë në tjetrin, nga njëri fenomen në tjetrin apo edhe nga njëra dukuri në tjetrën, por zor të gjesh një rast të ngjashëm me fatin e Josif Bagerit, të ndryshëm mbase me fatin edhe të brezit të tij që në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare përpiqeshin të sendërtonin ëndrrat e tyre e të brezit të tyre mbi konceptet e patriotëve pararendës të Rilindjes Kombëtare. Emri dhe vepra e Josif Bagerit (1868-1915) për lexuesin shqiptar në Maqedoni kanë një rezonancë të veçantë. Themi kështu për shkak se emri dhe vepra e këtij letrari dhe veprimtari të zellshëm të Rilindjes Kombëtare është e lidhur ngushtë me fatin e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni, posaçërisht me atë pjesë të tij që në pikëpamje konfesionale i përket (apo, më saktë, i përkiste) besimit ortodoks. Bir i një familjeje të varfër malësore nga fshati Nistrovë i Rekës së Dibrës, Bageri e kaloi pjesën dërrmuese të jetës larg vendlindjes, në mërgim. Siç thotë vetë në vargjet e vjershës Reka e Dibrës dhe rronjësit e sajë, banorët e Rekës, të fshatrave të saj, për të siguruar ekzistencën, por edhe për arsye të tjera, merrnin rrugën e kurbetit. Kta shkojn në Stamboll E në Bullgari. – Disa n’Anadoll Dhe në Rumani… Këtë rrugë, rrugën e kurbetit, e ndoqi edhe Josifi i ri. Në moshën 17 vjeçare, si shumë bashkëvendës të tij, ai shkoi në Bullgari.
Në Sofje, ku u vendos dhe ku filloi të punonte, jetonte dhe vepronte një koloni mjaft e madhe shqiptare, e cila kishte një jetë të organizuar politike dhe kulturore. Aty, djaloshi i ri, mësoi shkrim-leximin, ra në kontakt me njerëz të ditur e atdhetarë dhe përqafoi idetë e mëdha të Rilindjes Kombëtare, duke pasur si shëmbëlltyrë “shpirtndriturin” Naim, të cilin shkoi ta takonte në Stamboll një vit para se të vdiste, më 1899. Dhe, ndonëse me profesion ishte zanatçi, këpucar apo “kpucmbaronjës”, siç thoshte vetë, ai punoi gjatë tërë jetës për sendërtimin e ideve të mëdha të Lëvizjes për çlirim dhe emancipim kombëtar. Ishte njëri nga themeluesit e shoqërisë atdhetare “Dëshira”, të themeluar në vitin 1893 në Sofje dhe mik e bashkëpunëtor i ngushtë i Said Najdenit, alias “Hoxhë Vokës”, i Dervish Himës, Jashar Erebarës, Nikollë Ivanajt, Luigj Gurakuqit dhe i disa veprimtarëve të tjerë të Rilindjes Kombëtare.screenshot_480

“Dëshira dhe qëllimi ynë – shkruante Bageri në Pasthënjen me të cilën e shoqëronte këtë libër – âsht të ç`gjumim kombin prej gjumit rônd dhe t’a shohëm të nisun në udhët gjënd të kjytetnimit dhe t’kullturës”. Për këtë qëllim ai bëri çmos, duke mbledhur ndihma në të holla e duke hyrë edhe në borxh, që ta shihnin dritën e botimit “këta thona, pralla e vjerrsha”, siç i quante vetë, që ishin një pjesë e opusit të tij krijues, sepse ai, kishte në dorëshkrim “edhe shum të tjera vjerrsha”, të cilat “s’mundëm t’i shtypim në kët libër; për shkakun, se jon të mprehta (revolucionare)”.
Çështja e arsimit, çlirimit të atdheut dhe e përdorimit të gjuhës shqipe ishin bisedat kryesore dhe preokupimi i vazhdueshëm i Josif Bagerit edhe në letërkëmbimet e shqyrtimet e tjera. Gjithë kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një personalitet poliedrik dhe rilindës që shkriu gjithë ç’pati në jetë për iluminizmin e këtij populli. Josif Bageri u shqua si një demokrat i vërtetë midis shumë aktivistëve të Rilindjes, ku dha një kontribut të çmuar në fushën e arsimit dhe kulturës. Ai do të mbetet i njohur si militant i paepur i lëvizjes kombëtare. Atë e gjejmë kudo, herë në Shkup, herë në DIbër, herë në Sofje, herë në Bukuresht. Siç shkruan gazeta “Shqypja e Shqypnis” nr. 6 e 1 gushtit 1909 “Nuk na ka lon urt e në qetësi, por gjithnjë na ka çpue e nguc… për me punue pa mprajtim për kombin shqyptare”.
Josif Bageri, ky veprimtar i shquar, tregoi një veprimtari të gjallë për të vënë në jetë qëllimet e klubeve shqiptare që ishin ngritur kudo nëpër qytete të ndryshme që ishin bërë qendra vatre për të hapur shkolla popullore në qytete e në katunde. Pas shpalljes së kushtetutës turke të 23 korrikut 1908, lëvizja kombëtare e shtroi si detyrë parësore që të gjithë shqiptarët të mësojnë gjuhën shqipe. Prandaj menjëherë pas Kongresit të Manastirit klubet shqiptare filluan të organizoheshin më mirë. Atyre u ra hisja për të përhapur shkrimin dhe leximin shqip dhe zhvillimin kulturor në përgjithësi të shqiptarëve. Klubi i Manastirit, si një ndër klubet qendrore, nxiti me të madhe hapjen e klubeve në çdo vend, bile edhe në fshatra me 5-10 anëtarë.

( Fund i pjesës së pare )

Fahri Xharra,Gjakovë

LITETARURA:
1. Avzi Mustafa: Përpjekjet e Josif Bagerit për gjuhën dhe shkollën shqipe .
2. Prof. dr. Agim Vinca :Emri dhe vepra e Josif Bagerit (18681915) për lexuesin shqiptar në Maqedoni kanë një rezonancë të veçantë
3. 3. Begzad Baliu: Josif Bageri – rilindasi i dy rilindjeve
4. 4. Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha : Josif Bageri dhe karakteri kombëtar i gazetës ”Shqypeja e e Shqypnis”
5. Shtypi i kohës