Stamboll/ Shqiptarët pronarë të dyqaneve të famshëm të bozës, salepit dhe kafes...

Stamboll/ Shqiptarët pronarë të dyqaneve të famshëm të bozës, salepit dhe kafes turke

821
0
SHPËRNDAJE

Boza dhe salepi janë dy nga pijet më karakteristike të përdorura në Stamboll që nga koha , kur Kostandinopoja, kryeqyteti i Perandorisë Bizantine u pushtua nga Sulltan Mehemti II Fatihu dhe u shndërrua në Stambollin, kryeqytetin e Perandorisë Osmane.

BOZA

Në Stambollin e sotëm këto dy pije janë “specie” në zhdukje e sipër, ndonëse turistët i preferojnë shumë si pije karakteristike turke. Na tërhoqi vëmendjen, që dyqani më i vjetër i bozës, ”bozehane” sic e quajnë turqit, që i ka rrezistuar kohës në Stamboll është “Vefa Bozacisi”.

Ky dyqan u hap nga Selim Vefa Efendija një shqiptar nga Toskërija në vitin 1876. Bozehane “Vefa Bozacesi” është në lagjen, që shtrihet ndërmjet Xhamisë Sulemanije dhe Ujësjellësit antik të ndërtuar nga Perandori bizantin Valens. Në këtë bozehane shërbehen 2 lloj bozash.

Boza e ëmbël,  ka shumë pak alkol dhe është shumë e preferuar jo vetëm nga burrat, por sidomos nga gratë dhe fëmijët. Në dyqan shitet edhe një lloj boze e quajtur “Tartar Boza” me origjinë nga tartarët e Krimesë. Tartar Boza ka një përqindje të lartë alkoli e krahasur me atë të verërave të forta.

Kjo lloj boze që në fund të shek. XVI dhe deri më sot disa herë është nxjerrë jashtë ligjit, sepse alkoli, që ajo përmban bie ndesh me mësimet e islamit, por gjithsesi ka arritur të mbijetojë në shekuj.

Përpjekja më e fundit për ta zhdukur “Tartar Bozan” nga bozehanet e Stambollit u bë nga Erdogani, kur ai ishte Reiz Beledije (kryetar bashkije) në Stamboll.

Në foto është Zyrap Efendija mjeshtëri shqiptar i bozës, që ruan me fanatizëm jo vetëm ustallëkun e përgatitjes së “Tatar Bozas” cilësore por edhe përdorimit të një shqipeje të pastër, ndonëse pak arkaike.

SALEPI

Salepi është një pije tradicionale osmane e bërë nga rrënjët e thara e të bluara të bimës së salepit, që rritet gjerësisht në malet e Anadollit. Në të kaluarën salepi stambollije përzihej edhe me shurup trëndafili, qumësht dhe sheqer.

Sot në Stamboll kryesisht salepi është një lloj akulloreje shumë e shijshme e quajtur “Maras Dundurmasi”, gjithsesi ende ekzistojnë dyqane dhe shitës ambulantë salepi, që ofrojnë salep të lëngshgëm e të nxehtë.

Dyqani më i famshëm i salepit në Stamboll është dyqani i quajtur Ali Usta në Lagjen Kadikoj. Njëlloj si në rastin e bozehanes “Vefa Bozacesi” edhe ky dyqan salepi është në pronësi e menaxhim të shqiptarëve.

KAFEJA

Shqiptarët janë po ashtu pronarë të dy prej kafeneve më të fmashme të Stambollit përsa i përket përgatitjes së kafesë tradicionale turke.

Një nga kahvehane-t (kafenetë) më të famshme me pronarë shqiptarë, ku serviret kafe tradicionale turke, është në “Istiklal Cadesi” në Lagjen Beyoglu. Në Mantabatmaz kafexhinjtë shqiptarë ofrojnë kafe, që piqet, bluhet e përgatitet sipas porosisë së myshteriut e në sy të tij.

“Okkali Kahve” në Lagjen Beshiktash ofron kafe tipike turke të përgatitur me qumësht gjithë merak nga kafexhinjtë shqiptarë. Kjo kafene kënaq pasionin e myshterinjve për kafe tradicionale turke, që nga koha e Sulltan Reshatit V, në kohën e “Hyrjetit” (shpallja e kushtetutës) rreth 110 vjet më parë.

GJERGJ THANASI