Kur në shtetin e Arbrit udhëhiqnin fisnikët Gjonimaj

Kur në shtetin e Arbrit udhëhiqnin fisnikët Gjonimaj

372
0
SHPËRNDAJE

Prof. dr. Sabri LAÇI

Mënyrat e shprehjes së dashurisë pr vendlindjen janë të shumta: ndërtim i një rruge, shkolle, biblioteke, muzeu, qendre shëndetësore, azili, objekti kulti, ure, çezme, ngritja e një përmendoreje, mbjellja e disa pemëve, financimi i aktiviteteve kulturore apo sportive, akordimi i bursave për talentet apo fëmijët e varfër etj. Ymer Hysa ka zgjedhur të shkruaj një libër për historinë dhe etnokulturën e Gjormit, vendlindja e shumë brezave të fisit të tij dhe të fiseve të tjera të mirënjohura në trevën e Kurbinit dhe më gjerë. Nisma të tilla, në shumicën e rasteve, i ndërmarrin persona që e kanë ndjerë mallin për vendlindjen, pasi janë larguar prej saj. Por ky nuk është rasti i autorit të këtij libri, i cili e dashuron vendin e të parëve, duke qenë vazhdimisht aty, i lidhur me njëmijë fije me të, duke punuar tokat dhe duke pirë ujin e gurrave të tij, duke shijuar bukuritë mahnitëse të natyrës, duke përkëdhelur bimët dhe duke shijuar frytet e tyre, duke ndarë të mirën e të keqen me njerëzit e tij dhe duke punuar e luftuar bashkë me ta, për ta bërë atë më të mirë, më të begatë dhe më dinjitoz për brezat e ardhshëm.

Është fatlum çasti kur këtij pinjolli të Hysajve i lindi ideja për të shkruar këtë libër, i cili me siguri do t’i bëjë krenar gjormakët, kudo ku ndodhen, në Shqipëri apo në diasporë. E them me bindje këtë sepse në çdo fjalë e rresht të këtij libri shpalosen vlerat që kanë kultivuar banorët e këtij katundi gjatë shekujve, me shumë përpjekje dhe sakrifica.

Duke shkruar për pozitën gjeografike dhe kushtet natyrore të Gjormit, autori evidenton meritën e banorëve të hershëm, të cilët e kanë zgjedhur me shumë kujdes vendin ku kanë ndërtuar vendbanimin: në shpatin e malit, që i mbron shpatullat nga erërat e ftohta të veriut dhe lindjes; me pamje nga deti, për të përfituar freski gjatë verës, mot të butë gjatë dimrit, si dhe për të shijuar perëndimin mahnitës të diellit; larg kënetës, për të shmangur insektet e rrezikshme dhe erën e rëndë, por afër gurrave, arave, pyllit dhe kullotave, për të siguruar lehtësisht ujin, bukën, lëndën drusore dhe ushqimin e bagëtive; afër rrugës nacionale, që mundësonte mbërritjen shpejt në tregjet e Krujës dhe Lezhës, si dhe në skelat e Gjirit të Drinit. Autori konstaton se natyra i ka dhuruar Gjormit gjithçka që i duhet njeriut për jetesë dhe se gjormakët, të mençur e punëtor, kanë ditur t’i përdorin me kujdes pasuritë natyrore, madje edhe në kohë luftërash e krizash.

Vëmendje i është kushtuar vlerësimit të rolit të Gjormit në historinë kombëtare, nga antikiteti, deri në ditët e sotme, ku spikat kontributit i jashtëzakonshëm nën udhëheqjen e fisnikëve Gjonimaj gjatë periudhës së Shtetit të Arbrit dhe të Skënderbeut (Beteja e Ujit të Bardhë), si dhe në rezistencën antiosmane (Lufta e Tallajbesë), deri në shpalljen e pavarësisë.

Me krenari të ligjshme, autori thekson faktin se në të gjitha ngjarjet historike të trevës së Kurbinit dhe të Krujës, si dhe në ato të përmasave kombëtare, Gjormi është përfaqësuar nga bijtë e tij më të mirë, disa nga të cilët janë flijuar për interesat e krahinës dhe të atdheut.

Interes paraqet edhe trajtimi i historisë së fiseve të Gjormit, përmes të cilës lexuesi njihet me origjinën e banorëve, periudhat e popullimit, rritjen numerike dhe migrimet e popullsisë. Në këtë çështje dhe në të tjerat në vazhdim, autori ndalet në disa personazhe të spikatur të Gjormit, të cilët përpiqet t’i trajtojë me objektivitet, duke nënvizuar kontributet e tyre në të mirë të komunitetit, krahinës dhe kombit.

Gati gjysma e materialit i dedikohet etnokulturës, qeverisjes vendore dhe toponimisë. Duke lexuar këtë pjesë të librit, ndjehesh plotësisht në komunitetin gjormak: i përfshirë në zakonet dhe traditat e ruajtura me fanatizëm, sidomos sa i përket bujarisë dhe respektit për mikun; i entuziazmuar nga festimet në dasma dhe gëzime të tjera; me emocionin që të jep përcjellja e fëmijëve në shkollë; me keqardhjen që ndjen kur shoqëron dikë në qendrën shëndetësore dhe dhimbjen e thellë që të shkakton prania në një kortezh; i përfshirë në lojërat popullore dhe veprimtaritë artistike; në radhën rigoroze te mulliri apo atë shumë tolerante te çezmat e fshatit; i vëmendshëm për të dëgjuar ndonjë gojëdhënë, legjendë apo histori; i emocionuar nga parashikimi i fatit dhe me besimin se çdo gjë do të shkojë mirë e më mirë. Këto dhe shumë ndjesi të tjera vijnë krejt natyrshëm për meritë të elokuencës së autorit, i cili ka bërë kujdes që gjithçka në këtë libër të rrjedhë lirshëm, si uji i gurrave të Gjormit.

Në mënyrë interesante dhe origjinale është trajtuar çështja e marrëdhënieve të banorëve me drejtuesit vendorë dhe qeveritë: nëse me të vetët, gjormakët janë marrë vesh shumë mirë, me qeveritë, me përjashtim të asaj të A. Zogut, kanë pasur vazhdimisht probleme. Kjo tregon se ata nuk e durojnë diktatin, por dëshirojnë të vetëqeverisen, duke respektuar personat që zgjedhin vetë dhe ligjet që mbrojnë pronën, iniciativën e lirë dhe të drejtat e liritë njerëzore.

Gati dhjetë faqe u janë dedikuar çështjeve të ekonomisë dhe infrastrukturës, pas vitit 1945. Ka realizëm të thellë në trajtimin e këtyre çështjeve, pasi autori e ka përjetuar gjysmën e dytë të periudhës komuniste. Duke lexuar këtë pjesë kupton shpirtin e paepur të gjormakëve, të cilët edhe në kulmin e shtrëngesës mbytëse së kolektivizimit, arritën të mbijetojnë, duke u mbështetur fort te puna e tyre dhe te njëri-tjetri. Libri mbyllet me një epilog, ku autori gjen rastin të premtojë se do të vazhdojë të grumbullojë dokumente dhe të dhëna, me qëllim që të shtjellojë më tej ato çështje që nuk ka arritur t’i trajtojë sa dhe si duhet. Le të shpresojmë që ky libër, i cili i shtohet fondit të botimeve për Kurbinin, të nxisë autorë të tjerë për punime të këtij lloji për të gjitha fshatrat e kësaj treve të lashtë, por ende jo fort të studiuar.