Faveyrial: Gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft...

Faveyrial: Gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft gjuhën e Aristofanit

3495
0
SHPËRNDAJE

Gjithçka që ne mund të bëjmë, është të rrëmojmë vetë në sa më shumë histori të mundshme, duke ia lënë të tjerëve, më me fat, barrën që të plotësojnë nismën tone. Mund të sjellë habi, gjithashtu, fakti se, në vend që të kufizohemi në atë çka sot quhet Shqipëri, ne këtu kemi përfshirë historinë e Maqedonasve. Shkaku për këtë është se, sipas Strabonit, Maqedonasit dhe Shqiptarët e Epirit, përbënin një popull të vetëm. Në të vërtetë, Straboni i Sinopit, i cili duket se ka vizituar këto vende, thotë se:

“Shqiptarët dhe Maqedonasit flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat sjellje në zakonet e tyre, i prisnin flokët në të njëjtën mënyrë, dhe se ata kishin mjaft gjëra të tjera të përbashkëta, deri në atë masë, sa janë të shumtë ata që e kuptojnë Maqedoninë deri në Korkyrë (Korfuz)…”.

 

Sot Grekët thonë se janë e njëjta racë me Maqedonasit. Kryeministri i mbretit Gjergj arriti deri aty sa të pretendojë se: -”Greqia lidhet me Maqedoninë për nga njëjtësia e racës dhe e traditave historike”. (Qarkore e 10 tetorit 1885).Por, zotit Delijani a nuk i kujtohet Demosteni kur i cilëson Maqedonasit si barbarë, dhe Filipin e Tretë mbret të barbarëve? Aq më tepër është e vërtetë se, për sytë e Grekëve të lashtë, Maqedonasit ishin një racë e huaj. Sa iu përket Bullgaro-Sllavëve, ne do t’i përmendim shumë herë, dhe kjo fillimisht për të kujtuar rrethanat kur ata kanë zëvendësuar në Maqedoni dhe Myzi racën shqiptaro-romane, dhe më pas, mbrojtjen me të cilën ata kishin përfshirë, qoftë. Metropolin Ilir, qoftë popujt përkatës në të. Zanafilla galo-keltike e Perandorisë Otomane, në të cilën Shqipëria përbën sot tre krahina të mëdhe ose vilajete, do kishte nevojë për hollësi më të mëdha. Por, këtu, ne kemi arritur të përmbledhim veç një studim të gjatë të bërë më parë, dhe që ne mund ta shtypim diku tjetër. Gjykimi që ne kemi sjellë për Serbët, dhe në veçanti për të mirënjohurin Dushan, duket i ashpër.

 

Por, na u desh ta gjykojmë këtë të ashtuquajtur burrë të shquar, jo sipas rrëfimeve serbe, por, sipas veprave, sipas zakonit të tij, sipas mikpritësit të tij Kantakuzen, dhe, më së fundi, sipas raporteve të legatëve, që me sjelljen e tij i bënte të vinin nga Roma, dhe që ai i kthente, më pas, jo ndershmërisht. Dijetarët kanë pretenduar se, një e treta e gjuhës shqipe është me rrënjë latine, një e treta greke, dhe një e treta ilire. Por, në vend që të nxjerrim prej shqiptarëve fjalë të huazuara nga gjuhët latine dhe greke, a mos do të ishte më mirë ti shihnim ato të huazuara prej latinëve dhe grekëve nga gjuha pellazgjike, e cila kalon, në mënyrë të pakundërshtueshme, si gjuha e parë e ardhur në Itali dhe në Greqi, dhe të cilën shqiptarët e përcjellin natyrshëm si e vetmja gjuhë e ruajtur deri në ditët tona? Le të pranojmë se shqipja është e varfër, domethënë, ajo nuk është e kultivuar. Por, po t’i hiqnim gjuhëve më të kultivuara fjalët shkencore të huazuara nga të tjerat, si do të katandiseshin ato?

Çështja kthehet pra kështu: -Shqiptarët, a i kanë ata, po apo jo, fjalët për të cilat deri këtu kanë patur nevojë, -dhe gjuha e tyre a përshtatet, po apo jo, në formimin e fjalëve të nevojshme për lëvrimin e shkencave në Shqipëri? I nderuari z.Dozon, ish konsull i Francës në Janinë, dëshmia e të cilit ka një peshë të rëndësishme, dhe i cili, për mbledhjen e këngëve, gramatikën dhe fjalorin e tij, padyshim ka meritë të madhe për Shqipërinë, pohon se: ”në raportin fonetik gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft gjuhën e Aristofanit”.

Si mundet që kleri grek të mos jetë i fajshëm, kur ka penguar, dhe ende pengon në ditët e sotme, lëvrimin e kësaj gjuhe kaq të bukur!

 

Grekët mburren se letërsia e tyre ka filluar me Homerin. Po Homeri vetë, nga cila shkollë greke ka dalë? Nga cilat shkolla është formuar? Përpara shkollave greke, pra, ka pasur shkolla pellazgjike, dhe një literaturë të madhe dhe të përkryer, e cila ka qënë themeli i letërsisë greke, ashtu si ndërtimet ciklopike kanë shërbyer si themel për ngrehinat e përkohëshme të ngritura prej Grekëve të lashtë. Cilado qoftë vlera e letërsisë greke, brezat pasardhës do t’i qortojnë padyshim të gjithë shqiptarët që e lëvrojnë atë duke shpërfillur letërsisë e vet, dhe të gjithë shqiptarët e pasur që themelojnë shkolla për grekët, në vend që t’i ngrenë ato për bashkatdhetarët e tyre. Në përurimin e Zhapionit (21 korrik1885), Zhapa i ri, foli për “ndjenja me të vërtetë humanitare” të themeluesit, xhaxhait të tij. Por, sa ka pasur ai ndjenja patriotike veç ndjenjave humanitare? Qysh atëhere, çfarë ka bërë Zhapa i Labovës (Përmet)? Ai, thjeshtë, ka dhënë më tepër një shembull të shëmtuar. Padyshim që grekët e kanë duartrokitur. Por, Shqiptarëve të vërtetë a nuk u është dashur të rënkojnë prej kësaj? Mjerisht, Zhapa nuk është i vetmi. I mirënjohuri Kristaq Zografi ka bërë dhe shumë të tjera. Diçka e çuditshme kur ata, e të tjerë si ata, besojnë se nderohen, ndërkohë që mbulohen me një turp nga më të përçmuarit, pasi Shqipëria është vendi më i prapambetur i Europës nga pikëpamja arsimore, dhe ndoshta, e vetmja në botën e popujve jo barbarë, e cila nuk ka letërsinë e saj kombëtare.

 

“Historia e Shqipërisë”

 Jean-Claude Faveyrial

Origjinali i punuar e botuar 1884-1889