Pse refuzoi Enver Hoxha ta fuste më 1973 Kosovën në historinë e...

Pse refuzoi Enver Hoxha ta fuste më 1973 Kosovën në historinë e Shqipërisë?

1270
0
SHPËRNDAJE

Në vitin 1973 krerëve të regjimit komunist, iu dërgua një relacion për ta përfshirë Kosovën dhe zhvillimet e saj historike, letrare e gjuhësore në Historinë e Shqipërisë. Por, relacionit të gjatë të hartuar nga Stefanaq Pollo e Androkli Kostallari, nga Komiteti Qendror i PPSH-së, iu kthye përgjigje negative.

Në prill të 1973, edhe pse marrëdhëniet politike me Jugosllavinë ishin hesape të mbyllura që prej fundit të viteve ‘40-të, Enver hoxha, siç duket nuk kishte ndërmend të ndërrmerrte asnjë hap në lidhje me Kosovën. Ndaj, ishte negative përgjigjja që iu kthye propozimeve të historianëve.

Por, relacioni i nënshkruar nga Stefanaq Pollo dhe Androkli Kostallari, përbën një dokument të rëndësishëm sot, pasi dëshmon se në këtë periudhë të regjimit komunist, strukturat shkencore shqiptare kërkonin të thellonin studimin dhe trajtimin e çështjeve të zhvillimit historik e kulturor të Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë dhe integrimin e tyre në tekstet e historisë së Shqipërisë, duke e trajtuar çështjen e kombit shqiptar si një e të pandarë.

Në vitin 1973 krerëve të regjimit komunist, iu dërgua një relacion për ta përfshirë Kosovën dhe zhvillimet e saj historike, letrare e gjuhësore në Historinë e Shqipërisë. Por, relacionit të gjatë të hartuar nga Stefanaq Pollo e Androkli Kostallari, nga Komiteti Qendror i PPSH-së, iu kthye përgjigje negative.

Në prill të 1973, edhe pse marrëdhëniet politike me Jugosllavinë ishin hesape të mbyllura që prej fundit të viteve ‘40-të, Enver hoxha, siç duket nuk kishte ndërmend të ndërrmerrte asnjë hap në lidhje me Kosovën. Ndaj, ishte negative përgjigjja që iu kthye propozimeve të historianëve.

Por, relacioni i nënshkruar nga Stefanaq Pollo dhe Androkli Kostallari, përbën një dokument të rëndësishëm sot, pasi dëshmon se në këtë periudhë të regjimit komunist, strukturat shkencore shqiptare kërkonin të thellonin studimin dhe trajtimin e çështjeve të zhvillimit historik e kulturor të Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë dhe integrimin e tyre në tekstet e historisë së Shqipërisë, duke e trajtuar çështjen e kombit shqiptar si një e të pandarë.

Ky relacion i vitit 1973 do të botohet i plotë në “Shqiptarja.com”, së bashku me reagimin që erdhi pas këtij propozimi (përgjigjen negative nga Komiteti Qendror i PPSH-së).

Dokumenti 1 (Relacion i Stefanaq Pollos e Androkli Kostallarit)

MBI STUDIMIN DHE TRAJTIMIN E ÇËSHTJEVE TË ZHVILLIMIT HISTORIK E KULTUROR TË KOSOVËS DHE TË KRAHINAVE TË TJERA SHQIPTARE TË JUGOSLLAVISË

I. Gjatë diskutimit popullor u ngrit problemi i trajtimit të historisë së Kosovës dhe i krahinave të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve si pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona.

Siç dihet, në tekstin ekzistues historia e Kosovës dhe e këtyre krahinave është trajtuar në mënyrë konsekuente si pjesë e historisë së Shqipërisë deri në shpalljen e pavarësisë dhe në formimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Pas asaj ngjarjeje është trajtuar vetëm historia e popullit shqiptar brenda kufijve shtetërorë, ndërsa për Kosovën e krahinat e tjera bëhet fjalë vetëm në ato raste kur ato kanë luajtur një rol në ngjarjet e Shqipërisë dhe kur ngjarjet e atyre krahinave kanë gjetur jehonë në opinionin publik shqiptar.

Pas viteve 1912-1913 tokat shqiptare u ndanë në tri pjesë: Shqipëria e pavarur, Kosova dhe krahinat e Dibrës, Tetovës e Gostivarit (më poshtë të gjitha këto toka do të përfshihen nën emrin Kosova) që u përfshinë në shtetin serb dhe Çamëria, që hyri në shtetin grek.

Në këto rrethana shtrohet pyetja nëse historia e këtyre pjesëve të truallit shqiptar duhej trajtuar si një histori e vetme, si histori e një kombi të vetëm apo duhej trajtuar në tri histori të veçanta.

Zakonisht kufijtë shtetërorë të një vendi shërbejnë për historinë si caqe territoriale, kur ato përputhen ose gati përputhen me shtrirjen etnike të popullsisë.

Formacionet shtetërore ose njësitë administrative që u krijuan në truallin tonë para vitit 1912 nuk kanë pasur kufij të ndërtuar sipas parimit etnik. Këta kufij nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm historikë herë janë rrudhur e herë janë zgjeruar, kurse në raste të tjera i janë imponuar me dhunë popullit shqiptar nga pushtuesit e huaj.

Për këtë arsye në historinë e Shqipërisë deri në vitin 1912 kufijtë shtetërorë dhe ndarjet administrative nuk mund të shërbenin si caqe territoriale dhe zhvillimi historik i popullit tonë është studiuar në vendet e shtrirjes së tij etnike.

Për historinë pas vitit 1912 nuk u respektua ky kriter dhe u pranua kriteri politiko-administrativ, megjithëse kufijtë shtetërorë edhe kësaj radhe iu imponuan popullit shqiptar nga fuqitë e huaja dhe përfshinë vetëm gjysmën e tokave të tij.

Nga pikëpamja shkencore kriteri politiko-administrativ mund të argumentohej me faktin se pjesët që iu shkëputën Shqipërisë, duke kaluar nën zgjedhën e huaj, patën sidomos pas vitit 1945 një zhvillim historik të ndryshëm dhe të shkëputur politikisht dhe ekonomikisht nga ai i Shqipërisë së pavarur.

Si rrjedhim, duke u nisur nga kriteri politik-administrativ, studimi i historisë së Kosovës, dhe përgjithësisht i diasporës shqiptare, duhej të bëhej nga historianët tanë objekt studimesh të veçanta.

Për zbatimin e kriterit politik-administrativ në trajtimin e periudhës pas vitit 1913 ndikuan edhe një varg arsyesh të karakterit praktik.

Në vitet 1959-1964 kur u zhvilluan punimet për vëllimin II të “Historisë së Shqipërisë” studimet në lidhje me gjendjen ekonomike-shoqërore dhe kulturore dhe ngjarjet politike të Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve për vitet 1913-1914 ishin në një gjendje krejt të pazhvilluar.

Njiheshin në përgjithësi vijat dhe karakteri i politikës shtypëse e shkombëtarizuese të mbretërisë serbe e më vonë jugosllave kundrejt popullsisë shqiptare, por shumë pak njiheshin të dhënat konkrete dhe rrugët nëpërmes të cilave u zbatua kjo politikë.

Për më tepër përfshirja e historisë së Kosovës në tekstin zyrtar të historisë së Shqipërisë mund të interpretohej keq e të shfrytëzohej nga revizionistët jugosllavë për të sulmuar politikën e drejtë marksiste-leniniste të RPSH ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Megjithëkëtë, duhet thënë se zbatimi i kriterit politik-administrativ qysh atëherë nuk mund të quhej plotësisht i kënaqshëm. Kjo shihet më qartë sot që kemi një farë distance kohore që nga botimi i vëllimit

II. Së pari, rezulton se edhe në zbatimin e kriterit politik-administrativ kishte një mungesë konsekuence. Kështu p.sh. në periudhën 1916-1918, kur tokat e Shqipërisë dhe të Kosovës ndodheshin nën pushtimin austro-hungarez, kufijtë e 1913-ës praktikisht nuk ishin më në fuqi dhe midis Shqipërisë e Kosovës u rivendosën lidhjet e vjetra.

Gjatë këtyre viteve historia e të dy pjesëve zhvillohet praktikisht si histori e një vendi të vetëm dhe e tillë duhej të trajtohej edhe në tekst, gjë që nuk është bërë.

Po kështu është vepruar edhe për periudhën e pushtimit fashist në vitet 1941-1945 kur pjesa më e madhe e Kosovës u përfshi në kufijtë e “Shqipërisë së Madhe”.

Por arsyet përse zbatimi i kriterit politik-administrativ nuk mund të quhet i kënaqshëm duhen kërkuar më thellë. Në fakt i gjithë trajtimi që i është dhënë problemit të formimit të kombit shqiptar dhe që qëndron në bazë të periudhës deri në vitin 1912, e bën të nevojshme që edhe për periudhën pasuese të vihen në dukje rrjedhimet logjike të këtij koncepti themelor dhe të zbatohet në mënyrë konsekuente kriteri etnik-kombëtar edhe për periudhën pas vitit 1913.

Këtu nuk është fjala që të nisemi nga mundësitë praktike aktuale dhe nga oportuniteti që u treguan më sipër, por nga koncepti themelor që rrjedh nga fakti objektiv se popullsia e Kosovës edhe pas ndarjes politike vazhdoi të formonte objektivisht e subjektivisht deri në ditët tona një pjesë përbërëse të kombit shqiptar, se proceset historike që u zhvilluan në Kosovë ishin të tilla që nuk çuan në formimin e një kombi tjetër, siç mund të vërehet në kushte pak a shumë të afërta në Maqedoni.

Shqyrtimi i problemit nën prizmin historik tregon se Kosova u nda nga trungu shqiptar në një periudhë kur, me gjithë pengesat e shkaktuara nga regjimi otoman, ishte krijuar tashmë një formacion kombëtar unik, i mbështetur jo vetëm mbi territor e gjuhë të përbashkët, por edhe mbi një bashkësi historike-kulturore dhe ekonomike.

Vlen të vihet në dukje se midis Kosovës dhe tokave perëndimore shqiptare ishin formuar lidhje ekonomike qysh nga fundi i shekullit XVIII, lidhje që erdhën duke u forcuar vazhdimisht. Një shprehje e këtyre lidhjeve dhe e bashkësisë shpirtërore e kulturore ka qenë uniteti i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku Kosova e Çamëria kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Shkëputja në plan ekonomik donte të thoshte për këto krahina jo vetëm prishje lidhjesh të vjetra, por një zhvendosje, një riorientim të plotë të qendrës së gravitetit.

Bujqësia e zejtaria kosovare p.sh. humbën tregun e prodhimeve të veta dhe u gjendën në një ambient të ri ekonomik, kundrejt një industrie e bujqësie më të zhvilluar.

Bujqësia e zejtaria kosovare nuk ishin në gjendje t’u bënin atyre konkurrencë ose të inkuadroheshin e të adaptoheshin. Këtu duhet kërkuar një nga arsyet për degradimin ekonomik të Kosovës që e katandisi atë brenda 60 vjetëve të fundit nga njëra prej krahinave më të pasura të tokave shqiptare e të Ballkanit në shek.

XIX në një aneks shumë primitiv, të prapambetur të Jugosllavisë. Në plan ideologjik, psikologjik dhe politik shkëputja shkaktoi një traumë shumë të rëndë.

Kësaj i duhet shtuar politika e egër shtypëse e shkombëtarizuese e regjimeve monarkike e titiste. Këtu e ka origjinën mospajtimi i shtresave të gjera të shoqërisë kosovare me regjimet që u vendosën atje, gjë që është shprehur në format e drejtimet më të ndryshme deri në rezistencën e armatosur.

Gjendja e krijuar në Kosovë gjatë këtyre 60 vjetëve të fundit pati nga ana e vet dy rrjedhime:

1) ndikoi në ruajtjen e bashkësisë gjuhësore;

2) jo vetëm e ruajti të paprekur bashkësinë shpirtërore, por zhvilloi në maksimum në masat kosovare ndjenjat kombëtare e patriotike dhe tendencat për të ruajtur bashkësinë ekonomike me Shqipërinë, për ta konsideruar këtë tokë mëmë e Kosovën pjesë të pandarë të saj. Natyrisht, bashkësia fetare me shumicën myslimane të popullit shqiptar dhe dallimi me popullsinë ortodokse sllave ka ushtruar e vazhdon të ushtrojë ndikimin e vet.

Këta faktorë të fuqishëm subjektivë vazhdojnë të luajnë edhe sot e kësaj dite një rol të rëndësishëm, duke pasur si bazë objektive bashkësinë gjuhësore e territoriale.

Duke u nisur nga këto të dhëna që vërtetojnë se është historikisht dhe shkencërisht e drejtë që Kosova, pavarësisht nga ndarja politike, të konsiderohet si pjesë përbërëse e kombit shqiptar prej 1912 e deri në ditët tona, ne nxjerrim përfundimin se historia e Shqipërisë në parim duhet të përfshijë si një aneks të saj në fund të vëllimit edhe historinë e popullsisë së Kosovës.

Sa për kolonitë arbëreshe të Italisë, Greqisë etj., ato do të përfshihen në momentet historike, kur ato lidhen me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Kjo do të bëjë të mundshme që populli ynë i përfshirë në RPSH të njohë historinë e vëllezërve matanë kufirit. Kështu është vepruar në raste të ngjashme – ndonëse jo krejt identike – edhe në vende të tjera.

Në Republikën Demokratike Gjermane p.sh. ekziston teksti “Historia gjermane” që përfshin edhe historinë e Gjermanisë Perëndimore. Po kështu kanë vepruar koreanët dhe vietnamezët, duke përfshirë në historinë e tyre kombëtare edhe atë të pjesëve jugore.

Zgjidhja e problemit sipas kriterit etniko-kombëtar ngre disa çështje të karakterit praktik lidhur me ripunimin që po u bëhet teksteve të historisë së Shqipërisë.

1) Mungesa e studimeve shkencore monografike dhe e dokumentacionit arkivor mbi historinë e Kosovës prej 1913-ës e këtej, e bën hë për hë praktikisht të pamundur zbatimin konsekuent të këtij parimi gjatë ripunimit që po u bëhet teksteve të historisë së Shqipërisë po në atë shkallë si për territorin e RPSH.

Megjithatë ne jemi të mendimit që për periudhën 1913-1944 në aneksin e lartpërmendur të trajtohet një aspekt i historisë së Kosovës, politika shtypëse e shkombëtarizuese e regjimit monarkik jugosllav dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit të Kosovës. Për këtë problem janë bërë studime këto vitet e fundit, sidomos nga ana e kosovarëve, një pjesë e të cilave mund të shërbejnë si bazë.

2) Problemi vështirësohet sidomos lidhur me trajtimin e historisë së periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.

Pozitat diametralisht të kundërta të historianëve shqiptarë e kosovarë në karakterizimin e kësaj periudhe e bëjnë të domosdoshme që trajtimi në tekst i historisë së Kosovës, për këtë periudhë të mbështetet vetëm mbi studimet tona, të cilat tani për tani mungojnë dhe do të mungojnë edhe më tej, duke marrë parasysh vështirësitë për të hyrë në arkivat jugosllave, veçanërisht për periudhën pas vitit 1944.

Rrjedhimisht, vëllimi III i tekstit tonë të Historisë së Shqipërisë nuk do të ketë mundësi as në mënyrë të pjesshme ta trajtojë këtë periudhë të historisë së Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë.

Për këtë arsye ne mendojmë që vëllimi III i “Historisë së Shqipërisë” që përfshin periudhën prej çlirimit e këtej, t’i kushtohet historisë së ndërtimit socialist në RP të Shqipërisë pa e përfshirë historinë e Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare të Jugosllavisë, prej 1944-ës e këtej. Kjo do të mbetet si një detyrë e veçantë shkencore.

Zgjidhja që mendohet t’i jepet çështjes së trajtimit të historisë së Kosovës në tekstin e “Historisë së Shqipërisë”, në parim, kërkon studimin e saj të organizuar, sistematik, të gjithanshëm e në plan të parë si pjesë e historisë së gjithë popullit tonë; krahas kësaj, në një plan të dytë duhet vënë studimi i historisë së Çamërisë dhe të diasporës shqiptare jashtë kufijve, si p.sh. të arbëreshëve të Italisë, Greqisë e Dalmacisë, të kolonive shqiptare të emigracionit ekonomik etj.

Me këto probleme te ne sot merren vetëm studiues të veçantë e në mënyrë jo sistematike. Mendojmë se kjo detyrë e rëndësishme shkencore e politike kërkon krijimin e një baze organizative në formën e dy grupeve studimi pranë sektorëve historikë ekzistues: një grup për historinë e shqiptarëve të Jugosllavisë në periudhën prej 1912-ës e deri në ditët tona dhe një grup tjetër për historinë e diasporës shqiptare.

Kjo do të lejonte që të bëheshin edhe botime të veçanta për problemet e historisë së Kosovës e të popullsive të tjera shqiptare jashtë kufijve dhe të mbaheshin kurse e seminare speciale në degën e histori-gjeografisë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë etj.