Kolë Kristofori, emigranti i parë shqiptar në Amerikë nga viti 1884

Kolë Kristofori, emigranti i parë shqiptar në Amerikë nga viti 1884

722
0
SHPËRNDAJE

Emigrantin e parë shqiptar në Amerikë tani e dimë nga librushka e Konstandin Demos apo Nini Demos, sikurse njihej nga shqiptarët e kohës së tij që jetonin në Boston, ose në qytetet afër tij.

Konstandin Demoja pati idenë e mirë të botonte një libër modest, me saktë një libërth apo librushkë me titull Shqiptarët në Amerikë, apo imigrantët shqiptarë në Amerikë. Ai vëren se i pari emigrant shqiptar që erdhi në Amerikë qe Kolë Kristofori nga Katundi, një fshat i vogël pranë fshatit Qytezë të Kolonjës.

Edhe vetë Nini Demoja qe nga Katundi. Këto fshatra shqiptare shtrihen në veri të Qafëzezit dhe njihen me emrin e përbashkët fshatrat e Vakëfit, sepse dikur ato qenë pronë e Kishës. Ninoja vëren se Kolë Kristofori erdhi në Amerikë në vitin 1884 dhe pasi punoi këtu dhjetë vjet u kthye në fshat me qesen mbushur me para dhe i veshur me rroba të ngushta alla frënga, jo me shallvare, as me kaftan, sikurse mbanin përgjithësisht fshatarët e asaj ane, por me veshje europiane.

Nuk përjashtohet mundësia që edhe para tij të kenë ardhur shqiptarë tjerë, sikurse përmendet një prift katolik nga veriu, por ai apo ata ta erdhën si vizitorë me misione të ndryshme jo emigrantë ekonomikë si Kole Kristofori. Me vonë Kola u dorëzua prift dhe punoi si meshtar ortodhoks në disa qytete ku kishte emigrantë shqiptare.

Sqarojmë se shumë fshatra në krahinën e Korçës i kishte lënë vakëf feudali i madh Iljaz Bej Mirahori në fund të shek. XV. Edhe kisha e krishterë krijoi vakëfe me anë dhuratash dhe testamentesh të besimtarëve, sepse vakëfet kishin disa favore shtetërore.

Librushka e Konstandin Demos ka interest ë veçantë për historikun e emigracionit shqiptar në Amerikë, ndaj Peter Prifti e përktheu edhe anglisht që të kishte një përhapje më të gjerë edhe te brezi ri. Nini Demoja pati idenë që t’i luteshin Fan Nolit të shkruante parathënien për librushkën dhe Peter Prifti shënon se nuk besonte që Noli do të pranonte t’i bënte parathënien një vepre të rëndomtë apo tepër modeste, por Noli e pranoi me kënaqësi kërkesën e zotit Konstandin Demo dhe midis të tjerash shkroi se ajo ishte një broshurë që meritonte të lexohej nga çdo shqiptar.

Rrëfimi i autorit Konstandin Demo shquhet për vërtetësi dhe thjeshtësi. Ai sjell mbresat e tij jo si historian, as si letrar, por thjesht si emigrant i komunitetit shqiptar në Amerikë. (Marrë nga gazeta Shqiptarja. Autor i tij është shkrimtari Naum Prifti, që tash jeton në ShBA).