“Pagëzimi në një tavan të Kosovës”

“Pagëzimi në një tavan të Kosovës”

324
0
SHPËRNDAJE

Fred Conrad, fotograf për The New York Times, ka rrëfyer për rrugëtimin dhe qëndrimin e tij në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999.

Conrad kujton kohën kur Kathy Ryan, drejtoreshë e fotografisë për “The New York Times Magazine”, e kishte dërguar në Kosovë qershorin e vitit 1999 për të shkrepur një fotografi panoramike të një rruge me objekte të djegura.

 

“Kishte vetëm një kusht: çfarëdo të vendosja të fotografoja, duhej të zbulonin tmerret e shkaktuara ndaj banorëve të saj”, thotë Conrad në shkrimin e tij të fundit të botuar në blogun e “New York Times”.

Ai thotë se ky ishte një kusht i vështirë.

Pas çlirimit të Kosovës, Conrad thotë se kishte shumë ndërtesa të djegura e dëshmi vizuale se diçka e tmerrshme kishte ndodhur. Rindërtimi i këtyre ngjarjeve, thotë se ishte sfidë.

“Dëshira për të rrëfyer këto tregime u nxit nga raportimi i John Kifner, një korrespondent veteran i huaj për “The Times” dhe një mik i vjetër.

Ai më shoqëroi për një turne nëpër zonë dhe më dërgoi tek rruga “Mazllum Shasivari” në Gjakovë, rrugë në të cilën edhe u vendosa në tavanin e një laboratori të fotografive me pamje të mirë.

E kuptova se për ta realizuar këtë detyrë si duhet, do të më duhej të qëndroja atje dhe të bëhesha i dukshëm për të gjithë lagjen”, shkruan Conrad.

Fotografi Conrad thotë se ishte e çuditshme të qëndrosh palëvizur dhe të shohësh skenat nëpër rrugë.

“Drita ndryshonte, retë ndryshonin dhe njerëzit nisën të më vërenin. Pyesnin se kush jam dhe pse po qëndroja në çati.

Më pas më dhanë një numër telefoni të dikujt që i kishte shpëtuar masakrës dhe që jetonte në një pjesë tjetër të qytetit”, kujton Conrad qëndrimin e tij në Kosovë qershorin e vitit 1999.

Në ditën e dytë, fotografi Conrad e kishte vënë re Gëzim Nushin teksa po kërkonte nëpër rrënojat e apartamentit të tij për të shpëtuar një set filxhanësh.

“Gjithë kohën sa po prisja dhe shkrepja fotografi të së njëjtës rrugë, shihja kolegët e mi fotografë teksa endeshin nëpër rrugë me makinat e tyre të marra me qira. Dilnin jashtë, shkrepnin fotografi për rreth 20-30 minuta dhe iknin”, shkruan Conrad.

“E unë aty qëndroja sikur të më ishin ngrirë këmbët në çimento, shikoja dhe më shikonin. Vetëm atëherë e kuptova se kjo detyrë e çmendur do të funksiononte.

Ditët e qëndrimit tim në çati më sollën disa numra të telefonit dhe kontakte për shkrimtarin Chris Stephen, i cili nisi të ndërtonte një rrëfim që ngriti perden e anonimitetit që është normë për historitë e konfliktit”, shkruan Fred Conrad.

Fotografi Conrad thotë se qëndrimi në tavan i dha një mësim që ndonjëherë është më mirë të pritet që historia t’ju vijë juve, sesa të shkoni ta ndiqni atë.

“Sikurse pagëzimi”./KD