Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe kontributi i Malsis së Madhe

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe kontributi i Malsis së Madhe

240
0
SHPËRNDAJE

Një ditë pas nënshkrimit të Protokollit të Stambollit, më 19 prill 1880, u organizua një miting madhështor në Shkodër, ku u diskutua gjatë për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Hodo Sokoli, i cili kishte marrë urdhër që të kryente dorëzimin e këtyre viseve, e braktisi detyrën dhe, publikisht, i hoqi dekoratat dhe gradën osmane, shembullin e të cilit e ndjekën edhe shumë ushtarë shqiptarë.

Rusia, pasi që e theu Perandorinë Osmane në luftën e fundit, e detyroi që më 3 mars 1878, të nënshkruaj Traktatin e Shën Stefanit. Vendimet e këtij traktati ishin fatal, në rramartdhë të parë, për kombin shqiptar.

Përveç që me këtë dokument pranohej pavarësia e Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe autonomia e Bullgarisë, atyre, po ashtu, u pranohej edhe zgjerimin i territorial, duke u dhënë, mes tjerash, edhe territore të banuara kryesisht nga shqiptarët.

Mali i Zi, përveç tjerash, merrte Plavën dhe Gucinë, Rugovën, Hotin, Grudën, Vermoshin, Trieshin, Kojën si dhe qytetet, Tivar dhe Ulqin. Pra, me këto vendime, kërcënohej drejtpërdrejt edhe vetë Malësia e Madhe, pasi që ishte paraparë gjymtimi i rëndë i saj.

Që nga momenti kur shqiptarët u njoftuan me vendimet e Shën Stefanit, nuk qëndruan duarkryq, por, menjëherë u angazhuan në mënyra të ndryshme kundër këtyre vendimeve. Filluan të organizojnë kuvende dhe protesta, me anë të cilave shprehnin pakënaqësinë e tyre kundër copëtimit të Shqipërisë. Mirëpo, përveç shqiptarëve dhe, për fat të shqiptarëve, kundër vendimeve të Shën Stefanit ishin edhe Fuqitë e Mëdha, e në rradhë të parë Anglia dhe Austro-Hungaria, të cilat nuk donin fuqizimin e Rusisë në Ballkan. Kundërshtimi i Fuqive të Mëdha solli deri te vendimi që Traktati i Shën Stefanit të rishqyrtohet në një kongres ndërkombëtar, që më në fund u vendos të mbahet në Berlin.

Duke e parë rrezikun e madh që u kanosej viseve shqiptare, atdhetarët shqiptarë filluan energjikisht të ndërmarrin masat e nevojshme për organizimin e një kuvendi mbarëkombëtar, i cili kuvend u vendos të mbahet në qytetin e Prizrenit. Koha që u kishte mbetur shqiptarëve u shfrytëzua, jo vetëm për organizimin e kuvendit mbarëkombëtar, por edhe për shprehjen e pakënaqësisë përmes protestave të ndryshme.

Meqenëse edhe Malësia e Madhe kërcënohej nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, e shprehi pakënaqësinë në mënyra të ndryshme. Malësorët, sa bashku me banorët e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Tivarit, Ulqinit ia drejtuan një protestë ambasadorit francez në Stamboll, Furniesë, ku ndër tjera ia bënin me dije se ,,në rast nevoje, si më herët, të krishterë dhe mysliman do t’u dalin zot tokave të tyre dhe nuk do të pranojnë copëtimin”.

Më 10 qershor 1878, në sallën e medresës së Prizrenit, u hap kuvendi mbarëkombëtar. Vendimi kryesor i Kuvendit Kombëtar ishte krijimi i një organizate politiko-ushtarake, që u quajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Po ashtu, vendime të rëndësishme ishin edhe krijimi i degëve në të gjithë Shqipërinë si dhe mbrojtja, me çdo kusht, e interesave të vendit. U ndërmor edhe një hap diplomatik me miratimin e një teksti në formë protestë drejtuar Kongresit të Berlinit. Në kuvendin e Prizrenit, nuk morën pjesë delegatët e të gjitha krahinave, e ndër ata që mungonin ishin edhe ata të vilajetit të Shkodrës.

Megjithatë, vendimet e kuvendit të Prizrenit, edhe pse nuk ishin prezentë, i përkrahen edhe ata vetë, me ç’gjë u bënë pjesëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Arsyeja e mosardhjes së delegatëve të vilajetit të Shkodrës kishte të bënte me atë se malazezët kishin hyrë në disa zona të Malësisë së Madhe, si bie fjala në Triesh dhe në Dinoshë.

Kuvendi Ndërkrahinor i Shkodrës i filloi punimet vetëm më 16 qershor 1878, në të cilin u zgjodhën 26 delegatë. Nga fiset e mëdha të Malësisë së Madhe ishin caktuar pesë delegatë dhe ata ishin: Çun Mula nga Hoti; Baca Kurti nga Gruda; Ujk Gila nga Kelmendi; Gjel Vuksani nga Kastrati dhe Marash Dashi nga Shkreli. Këta do të nisën për Prizren më 27 qershor dhe do të arrijnë të marrin pjesë në punimet e Kuvendin të Përgjithshëm, që i rifilloi punimet më 1 korrik.

Sytë e gjithë Shqipërisë ishin drejtuar nga Berlini, pasi që atje luhej me fatin e të tjerëve, pra edhe me fatin e vetë shqiptarëve. Në Kongres të Berlinit, fjalën kryesore e kishin përfaqësuesit e 6 Fuqive të Mëdha: Gjermanisë, Rusisë, Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë dhe Italisë.

Ky kongres, i cili i zhvilloi punimet që nga 13 qershori deri më 13 korrik 1878, sikurse edhe ai i Shën Stefanit, solli vendime në dëm të tokave shqiptare. Në Kongres u vendos të njihet pavarësia e Malit të Zi, Serbisë dhe Rumanisë, si edhe zgjerimi i tyre territorial. Sa i takon Malësisë së Madhe, debati kryesor ishte se, disa pjesë të saj duhet edhe më tutje t’i mbesin Perandorisë Osmane apo t’i jepeshin Malit të Zi.

Fillimisht Kongresi mendoj që Mali i Zi, në anën jugore, të zgjerohet sipas vendimit të Shën Stefanit, pra ti jepeshin Tivari, Ulqini, Podgorica, Shpuza, Plava, Gucia, Kolashini, Berane, Hoti, Gruda, Trieshi, Koja dhe Fundna, mirëpo, në fund u bënë korrigjime të pjesshme, ashtu që Ulqini, Hoti dhe Gruda edhe më tutje mbetën brenda Perandorisë Osmane, ndërsa u vendos që Malit të Zi, ndër tjera, t’i jepeshin Tivari, Plava, Gucia, Podgorica, Shpuza, Trieshi, Koja dhe Fundnat. Me humbjen e Trieshit, Kojës dhe Fundnës filloi copëtimi i Malësisë së Madhe.

Sikurse ishin kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, shqiptarët, tani të drejtuar nga Lidhja Shqiptare, ishin edhe kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit. Sidomos, Lidhja Shqiptare, ishte kundër dhënies së Plavës dhe Gucisë Malit të Zi, sepse kjo krahinë ishte e banuar kryesisht me shqiptarë, për dallim nga Shpuza, Podgorica dhe Zhabjaku, ku shqiptarët nuk e përbënin shumicën e popullsisë.

 

Me shqiptarë ishte i banuar edhe Trieshi, dhe shtrohet pyetja se pse nuk reagoi Lidhja lidhur me këtë krahinë? Mirëpo, duhet pasur të qartë një gjë se këtu e kishte Lidhja shumë më vështirë të vepronte, ngase Mali i Zi kishte hyrë ushtarakisht më herët dhe kishte djegur shtëpitë e atyre që nuk pranonin bashkimin me Malin e Zi.

Duke e parë se protestat dhe kundërshtimet e shqiptarëve nuk dhanë rezultate, atëherë Lidhja e Prizrenit filloi përgatitjet për mbrojtjen me çdo kusht të Plavës dhe Gucisë.

Mali të Zi nuk i pritej më lidhur me Plavën dhe Gucinë, ashtu që në vjeshtë të vitit 1879, filloi përgatitjen për të marrë me dhunë këto treva. Vullnetarët shqiptarë, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit, i kishin ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e vendit. Në mes shqiptarëve dhe malaziasve, nga tetori i vitit 1879 deri në fillim të janarit të vitit 1880, u zhvilluan beteja të ashpra, në të cilat beteja, shqiptarët, dolën ngadhënjimtar. Këto fitore e ngritën lartë vetëbesimin tek shqiptarët, të cilët ua bënë me dije të gjithëve se zot i këtyre tokave janë vetëm shqiptarët dhe se me fatin e tyre nuk mund të luaj asnjë fuqi e huaj. Kazaja e Gucisë ishte në duar të Lidhjes Shqiptare për një gjysmë viti, nga nëntori i vitit 1879 deri në prill të vitit 1880. Gjatë kësaj periudhë kohore, Lidhja tregoi një nivel të lartë të organizimit, ngase nuk pati ndonjë incident në tokat e administruara nga ajo.

Duke e parë se nuk mund ta marrë Plavën dhe Gucinë me anë të luftës, princ Nikolla Petroviq filloi të ankohet tek Fuqitë e Mëdha se, gjoja, Perandoria Osmane nuk po i plotëson vendimet e Kongresit të Berlinit. Fuqitë e Mëdha, duke e parë se shqiptarët janë të vendosur për mbrojtjen e këtyre viseve, filluan të mendojnë që në vend të këtyre viseve, Malit të Zi, t’i japin territore tjera. Lidhur me këtë, gazeta malaziase ,,Gllas Crnogorca”, më 8 shkurt 1880, ndër të tjera, shkruan: ,, në shtypin e Evropës po shkruhet se Malit të Zi do t’i dorëzohen toka tjera në vend të Plavës dhe Gucisë” dhe më tej vazhdon se ,,Sido që të jetë, Mali i Zi, pasi që nuk ka marrë pjesë në Kongres, as nuk mund të kërkoj Plavën dhe Gucinë dhe, se me gjakun e paratë e veta, nuk duhet ti përmirësojë gabimet e Fuqive të Mëdha” .Nga kjo na del qartë se Mali i Zi, për paaftësinë e vet, fajin ua hedh të tjerëve dhe se nuk e pranon faktin se shkaktar kryesor për mosmarrjen e atyre tokave janë shqiptarët, të cilët e thyen ushtrinë malaziase. Menjëherë filluan të qarkullojnë zërat se ekziston mundësia që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi, t’i jepen Hoti dhe Gruda. Shtrohet pyetja se pse në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi t’i jepeshin pjesë të Malësisë së Madhe? Konti Korti, meqenëse ishte propozuesi kryesor i këtij shkëmbimi territorial, këtë shkëmbim e arsyetonte me faktin se në trevat e Hotit dhe Grudës banojnë kryesisht banorë të besimit katolikë dhe, duke qenë këta të krishterë, sikurse edhe malazezët, nuk do të kundërshtonin bashkimin me Malin e Zi. Ky propozim, i quajtur, sipas vetë propozuesit, projekti ,,Korti”, u zyrtarizua në Stamboll, më 18 prill 1880, me një memorandum që u nënshkrua nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha. Mirëpo, për shqiptarët e vërtetë, kjo nuk vlente, sepse për ta më rëndësi kishte përkatësia kombëtare sesa ajo fetare, por për fat të keq, këtë gjë nuk e kuptonin Fuqitë e Mëdha, e në rradhë të parë as konti Korti.

Tani sytë e Evropës dhe të shqiptarëve, ishin drejtuar nga Malësia e Madhe. Pyetjet ishin të shumta si p.sh. A do të përsëritet lavdia e fitoreve shqiptare, si në Plavë dhe Guci, apo do të plotësohet parashikimi i kontit Korti? A do të shkëputen Hoti dhe Gruda nga trungu etnik apo edhe më tutje do të jenë pjesë e tij? Pra, Malësia e Madhe ndodhej para një sprove tejet të rëndë, sepse ishte në pyetje e ardhmja e saj. Mirëpo, përgjigja e malësorëve nuk vonoi. Menjëherë, porsa filluan të qarkullojnë zërat se mund të bëhet shkëmbim territoresh, ashtu që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi, t’i jepeshin Hoti dhe Gruda, malësorët nuk qëndruan duarkryq, por, në mënyra të ndryshme, shprehen shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre. Kështu, shumë me rëndësi është 1 marsi i vitit 1880, kur malësorët zbritën në Shkodër dhe, po atë ditë, krerët e Hotit, Grudës, Kelmendit dhe Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, ku ndër tjera deklaronin se do të mbronin me çdo kusht tokat e tyre, në rast se miratohej projekti ,,Korti”. Me këtë veprim, malësorët, ua bënin me dije se ishin të gatshëm të luftojnë deri tek njeriu i fundit, nëse, edhe më tutje, kërcënohej tërësia territoriale e Malësisë së Madhe. Meqenëse Malësia e Madhe i takonte vilajetit të Shkodrës, atëherë barra kryesore i takonte Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Menjëherë, Komiteti filloi përgatitjet e duhura për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, si dhe, përveç kësaj, zhvilloi edhe veprimtarinë diplomatike. Më 3 prill 1880, në Kuvendin Krahinor, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, u vendos që me çdo kusht të mbrohej Hoti dhe Gruda dhe për këtë gjë me anë të një peticioni u njoftuan edhe Fuqitë e Mëdha.

Komiteti Ndërkrahinor vazhdoi energjikisht punën e vet duke formuar, më 11 prill 1880, shtabin ushtarak që do të merrej me mbrojtjen e Hotit dhe Grudës.

Në krye të Shtabit ushtarak u vendos koloneli Hodo Sokoli, ndërsa, në krye të shtabit, nga Malësia e Madhe ishin: Çun Mula dhe Ismail Marku nga Hoti, Smail Martini dhe Baca Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj.

Një ditë pas nënshkrimit të Protokollit të Stambollit, më 19 prill 1880, u organizua një miting madhështor në Shkodër, ku u diskutua gjatë për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Hodo Sokoli, i cili kishte marrë urdhër që të kryente dorëzimin e këtyre viseve, e braktisi detyrën dhe, publikisht, i hoqi dekoratat dhe gradën osmane, shembullin e të cilit e ndjekën edhe shumë ushtarë shqiptarë. Gjithashtu, Hodo Sokoli mbajti një fjalim patriotik dhe ndër të tjera iu drejtua bajraktarit të Hotit me fjalët: ,,Bajraktar, kryej detyrën tënde”. Atëherë bajraktari me jatagan preu shtizën që mbante flamurin osman dhe kështu e hodhi për tokë.

Në Tuz ishte grumbulluar një numër i madh i vullnetarëve, saqë vlerësohet se numri i tyre sillej diku në mes 8.000 deri 10.000 vetësh. Përveç Hodo Sokolit, rol të rëndësishëm në drejtimin e vullnetarëve të Lidhjes, për mbrojtjen e Malësisë, kishin edhe Çun Mula, Smail Martini, Baca Kurti etj. Në anën tjetër, princ Nikolla kishte grumbulluar një ushtri po aq të madhe, që e mbante në fshehtësi dhe, cila, priste tërheqjen e ushtrisë osmane, për t’u nisur në drejtim të Malësisë. Erdhi dita e paraparë për dorëzimin e Hotit e Grudës, 22 prilli i vitit 1880. At ditë u tërhoqën forcat osmane nga këto vise dhe, vendin e tyre, menjëherë e nxunë vullnetarët e Lidhjes Shqiptare. Gjithashtu, at ditë ushtria malaziase, e bindur se do të hynte lehtë, u nis në drejtim të Tuzit, mirëpo ndeshi në shqiptarët, që kishin zënë pozicionet tek Ura e Zharnicës.

Me këtë rast ka mbet e njohur thirrja e Baca Kurtit drejtuar bashkëluftëtarëve, që iu drejtua me këtë thirrje: ,, Vllazen! Anmiku po na msyn! Kush të don me dek sot për vend të vet dhe për nder të armëve të veta, të vij pas mejet.” Në Zharnicë u zhvilluan luftimeve të ashpra, saqë së shpejti, duke përdorur edhe armët e ftohta, u kalua në luftimet gjoks me gjoks. Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në Helm dhe në brigjet e lumit Cem.

Sikurse më parë, edhe këtë herë, shqiptarët, treguan heroizëm dhe atdhedashuri të lartë, me ç’gjë arritën që të thyejnë ushtrinë malaziase, të cilën e detyruan që e tyrpëruar të tërhiqet në drejtim të Podgoricës. Këto fitore e ngritën edhe më lartë vetbesimin dhe entuziazmin tek shqiptarët dhe, në këtë mënyrë, edhe njëherë, ia bënë me dije Evropës se zot të Shqipërisë janë shqiptarët dhe nuk do t’ia lëshojnë askujt asnjë pëllëmbë tokë. Po ashtu, qëndrimi i malësorëve bëri që mos të plotësohet parashikimi i Kortit.

Shumë është interesant fakti se për disfatën e pësuar, shtypi i kohës malazias dhe serbë e fajëson Perandorinë Osmane, i minimizon këto humbje dhe shpesh herë i injoron fare. Shumica e studiuesve serbo-malazezë, që janë marrë me këtë problematikë, qofshin të kohëve më të hershme apo edhe të sotshme, betejat për mbrojtjen e Malësisë i paraqesin sikurse dhe shtypi i tyre i atyre ditëve.

Meqenëse ushtria osmane ishte larguar, ushtria malaziase ishte mposhtur dhe tërhequr, Hoti dhe Gruda me qendër Tuzin ishin faktikisht nën drejtimin e organeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo gjendje do të mbizotëroj për më se 8 muaj të plotë, që nga 22 prilli deri më 28 dhjetor 1880. Këtë më së miri na e dëshmon fakti, kur më 27 prill, shqiptarët e mbyllën Bunën dhe, në këtë mënyrë, në këtë drejtim, ia ndaluan tregtinë Malit të Zi. Po ashtu, edhe shtypi i huaj informonte për një gjë të tillë, siç është rasti me gazetën italiane ,,L’osservatore Romano”, e cila, më 5 maj 1880, ndër të tjera shkruan ,, Porta e ka humbur autoritetin në viset shqiptare, sepse aty mbretëron Lidhja”.

Meqenëse ishte e qartë se Hoti dhe Gruda nuk do të dorëzoheshin dhe se vetë, për shkak të mospajtimit mes tyre, nuk mund të ndërhynin ushtarakisht, Fuqitë e Mëdha, përkatësisht Anglia dhe Austro-Hungaria, filluan të përgatisin një projekt të ri, i cili parashikonte që Malit të Zi, në vend të Hotit dhe Grudës t’i dorëzoheshin toka tjera. Përfundimisht, më 26 qershor 1880, u vendos që Malit të Zi ti jepej Ulqini.

Shqiptarët sërish protestuan dhe u angazhuan për mbrojtjen e Ulqinit, por këtë herë Perandoria Osmane ndërhyri ushtarakisht duke thyer rezistencën shqiptare dhe më 26 nëntor ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi.

Me këtë veprim dhe me shpërndarjen e degës së Shkodrës, Perandoria Osmane, i acaroi shumë marrëdhëniet me shqiptarët, saqë gjatë fillim vitit 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke shpallur edhe qeverinë e përkohshme, do të kalojnë në luftë të hapur kundër Perandorisë Osmane. Megjithatë, Porta do të arrij ta thyej Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por jo edhe idetë dhe ndjenjat kombëtare që ishin përhapur dhe fuqizuar gjatë veprimit të saj.

Më në fund mund të themi se me mbrojtjen e viseve shqiptare, sidomos me mbrojtjen e Malësisë së Madhe, u tregua niveli i lartë i ndërgjegjes kombëtare dhe i atdhedashurisë, me ç’gjë shqiptarët e drejtuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ia bënë me dije edhe Evropës se për shqiptarë në rradhë të parë vjen kombësia.

Mbas këtyre ngjarjeve Evropa u bind se nuk mundet të anashkalohet kombi shqiptarë, por në momentin e shembjes së Perandorisë Osmane në Ballkan doemos duhet marrë parasysh edhe elementin shqiptar.