Ndre Mjeda, si gjuhëtar

Ndre Mjeda, si gjuhëtar

84
0
SHPËRNDAJE

Kolec Topalli

–        Mjeda si historian i gjuhës shqipe;

–        Mjeda si leksikograf;

–        Kontributi i Mjedës në Kongresin e Manastirit dhe në Komisinë Letrare Shqipe;

–        Fjala e rrallë shqipe në veprën poetike të Mjedës;

–        Forma gramatikore të larmishme në veprën e Mjedës;

–        Ndihmesa e Mjedës për pastrimin e gjuhës shqipe prej fjalëve të huaja të panevojshme.

 

Shumëkush prej shqiptarëve e njohin Ndre Mjedën si poet; por të paktë janë ata që e njohin si gjuhëtar. E pra, ai qe njëri prej gjuhëtarëve shqiptarë më të përgatitur të brezit të tij, që e dëshmoi me studime të mirëfillta për historinë e shqipes, si një ndër aktivistët më të zellshëm në ngjarjet e rëndësishme me vlera kombëtare, studiues e transkriptues i autorëve të vjetër, mjeshtër i fjalës në krijimet e tij në poezi e në prozë, gjurmues e përdorues i fjalës së rrallë shqipe, punëtor i zellshëm për pastrimin e saj prej bykut të fjalëve të huaja të panevojshme, së fundi mësues i apasionuar i gjuhës shqipe në gjimnazin e jezuitëve të qytetit të Shkodrës.

Prirjet e tij si gjuhëtar duken që herët, kur më 1902 mori pjesë në Kongresin XIII të Orientalistëve në Hamburg të Gjermanisë, ku si përfaqësues i Shqipërisë mbajti latinisht kumtesën “Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe”, duke qenë kësisoj i pari gjuhëtar shqiptar që përfaqëson vendin tonë në një konferencë ndërkombëtare.

Si historian i gjuhës, Mjeda shfaqet sidomos me studimin “Vrejtje mbi artikuj e prêmna pronës të giûhës shqipe”, i botuar në Shkodër më 1934. Në këtë studim prej 31 faqesh, i pajisur me kulturë të gjerë gjuhësore dhe me njohjen e thellë të gjuhëve klasike e moderne dhe të veprave të autorëve të vjetër, Mjeda merr në shqyrtim nyjat dhe përemrat pronorë, që përbëjnë aspektin më problematik por edhe më origjinal të sistemit emëror të gjuhës shqipe duke arritur në përfundimin e njohur se shqipja nuk ka pasur në këtë pikë ndikime prej gjuhëve të tjera.

Është vepra e parë, e shkruar nga një gjuhëtar shqiptar për një problem kaq të rëndësishëm e po kaq të vështirë. Në mbyllje të studimit Mjeda shkruan: “Âsht nji detyrë shêjte me vû në krye të çdo mësimit tjetër mësimin e giûhës kombtare. Ajo asht stolia mâ e shkëlqyeshme, kunora mâ e çmueshme në ballë të nanës sonë, së mjerës Shqipni”.

Në fushën e onomastikës, Mjeda botoi dy artikuj, ku spikasin aftësitë e tij prej etimologu: njëri me titull “Prend e Prendë”, botuar në revistën “Leka” më 1932, ku shpjegon shkencërisht prejardhjen e emrave të ditëve të javës në gjuhën shqipe; ditën e enjte e të premte prej burimi vendës, të tjerat huazime ose kalke prej latinishtes. Artikulli tjetër, “Dromca toponomastike: Zeta” është një përgjigje që i jep studiuesit kroat Josip Gelčić, që kishte botuar një artikull për Zetën dhe dinastinë e Balshajve. Dihet gjithashtu se Mjeda ka hartuar një gramatikë të shqipes prej 34 faqesh në gjuhën italiane, punim i daktilografuar, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Në fushën e filologjisë, ka botuar studimin “Nji dorëshkrim i moçem e nji kritikë e re”, ku analizon njërin prej dokumenteve më të lashta të gjuhës shqipe, Perikopenë e Ungjillit të Shën Mateut. Ai gjithashtu ka botuar në revistën “Leka” disa fragmente të veprës “Pasqyra e të rrëfyemit” të Pjetër Budit, duke qenë ndër transkriptuesit e parë të veprave të letërsisë së vjetër shqipe.

Një kontribut tjetër si gjuhëtar ka dhënë Mjeda si leksikograf, me fjalorin botanik, që ka mbetur në dorëshkrim. Në këtë fjalor prej 12 faqesh, që e bëri të njohur studiuesi Mentor Quku, Mjeda shfaqet si një mbledhës i zellshëm dhe i kujdesshëm i thesarit popullor. Fjalori është frut i punëve  të tij të para, atëherë kur ai punonte si famullitar në Mirditë, Pukë e Zadrimë, vende që citohen herë pas here në fjalor duke qenë ndër mbledhjet e para të florës shqiptare.

Këto punime shkencore të Mjedës, ku spikat historiani i gjuhës, gramatikani dhe etimologu, kanë hyrë tashmë në fondin bibliografik të studimeve gjuhësore, duke u rimarrë prej historianëve të shqipes, si Eqrem Çabej, Vladimir Orel, Shaban Demiraj, Besim Bokshi etj.

A ka punuar Mjeda për “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” dhe për një “Gramatikë historike” të saj? Letërkëmbimet me albanologë të kohës dëshmojnë se ai punonte për këto dy vepra, që  i kishte shumë për zemër. Por a janë përfunduar dhe ku mund të ndodhen ato? Kjo është enigmë.

Mund të kenë pasur të njëjtin fat me vepra të tilla të hartuara prej Joklit, që janë zhdukur njëherë e përgjithmonë bashkë me autorin e saj.

Por punën më të madhe Mjeda e bëri si themelues dhe aktivist i shoqnisë “Agimi” dhe në institucionet me rëndësi kombëtare, si Kongresi i Manastirit dhe Komisia Letrare Shqipe, që u krijuan në fillim të shek. XX.

Si njohës i mirë i veçorive të tingujve të shqipes, Mjeda kishte krijuar një alfabet sipas parimit të Gustav Meyerit, ku çdo tingull përfaqësohej me një grafemë të veçantë. Me këtë alfabet botoi disa libra, kryesisht shkollore.

Si përfaqësues i shoqnisë “Agimi”, Mjeda mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku dha kontributin e tij duke u zgjedhur anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit. Më vonë dha kontribute të vlefshme në Komisinë Letrare Shqipe, në Shkodër, ku, ndërmjet të tjerash, së bashku me Gjergj Pekmezin e Rajho Nahtigalin, profesor i Universitetit të Gracit, mori pjesë në një ekspeditë gjuhësore prej tri javësh në Elbasan, për t’u njohur me  veçoritë e kësaj së folmeje, që mendohej të vihej si bazë e gjuhës së përbashkët letrare.

Por kontributin më të madh si gjuhëtar Mjeda e ka dhënë me veprën e tij poetike, ku tregohet një mjeshtër i rrallë i përdorimit të shqipes. Në pendën e tij shqipja gjallërohet, rinohet e zhdrervjellësohet. Ai e përdori fjalën e shqipes me një zotësi të rrallë poetike duke hulumtuar me kujdes e durim thesarin e popullit, fjalë e shprehje të rralla, që në artin e tij këndellen e marrin jetë. Në veprën e tij janë bashkuar e gershetuar cilësitë e tij të lindura prej poeti me punën e palodhur e të vullnetshme prej lëvruesi të gjuhës. Ja disa prej fjalëve të rralla, të qëmtuara në veprën e tij poetike.

– Cirilik “bëjnë zhurmë”; te “Ândrra e jetës”: cirlikne rrotllat posht’e perpjetë. Krijim i brendshëm nga një onomatope, imitim i zhurmës që bëjnë rrotat kur rrotullohen.

– Degame “grindje”; në poezinë “Mahmud Pasha”: Herë permállshem tui kqyrë, si degame / Vetë me vedi me ngrehun fillon. Formim i brendshëm prej degë me prapashtesën -ame, prej kuptimit “përçarje, ndarje”, siç janë degët që ndahen dysh.

– Dêhet “shkrin, zhduket”; në poezinë “Mustaf Pasha”: Nder festa e t’ kreme n’ fush’ e n’ malcí / burrnimi u dêjti. Është forma joveprore e një rrënje *ten-, që lidhet me foljen ndêj“hap, shtrij”.

– Denik “erë e fortë që sjell shi”; në poezinë “I tretuni”: O djalë, e n’frymë t’denikut, / N’furí të kësáj érës vajton. Fjalë e gegërishtes veriore, me kuptimin e parë “erë deti”; formim i brendshëm prej emrit det me prapashtesën -nik, me rënien e -t-së në një grup bashkëtingëllor.

– Diret “humb”; në poezinë “Të vorruemit e Sir John Moore”: Krizma e jonë me ‘j tjetrë diret. Është trajta joveprore e foljes vdjerr “humb”, formim i brendshëm nga bjerr, që ka marrë parashtesën dë- dhe ka ndjekur evolucionin e fjalëve me grupin bashkëtingëllor -db-dëbjerr > dbjerr > bdjerr (me metatezë) > vdjerr (me hapjen e njërës mbylltore) > djerr (me rënien e –v-së në një grup bashkëtingëllor). Të gjitha këto forma gjenden në të folme të ndryshme e tek autorët e vjetër sipas prirjeve dialektore; Buzuku: mos bdiretë, por të ketë gjellënë e amëshuome; Budi: desh qenë vdjerrë frike e tmērje (SC); Bardhi: Me dierrë arësynë; Bogdani: po ende dvjerrënë shpirtinë; Kuvendi i Arbënit (si Buzuku): A asht për t’u bdjerrë moti; Kazazi (si Bogdani): nieri nuk e dvier hīrnë e Tinëzot.

– dnes “qaj me ngashërim”; te “Váji i bylbylit”: Tui dnes’ i vorfni se e mbluene t’ kijat. Formim i brendshëm prej emrit dënesë, e formuar me parashtesën dë-, rrënjën ne- dhe prapashtesën -së. Rrënja ne mund të jetë emri nye, që në trajtën e shquar e në shumës del me zanoren -e (neuneje). Ky emër në një fjalë të tillë përligjet prej shprehjeve: nuk më shkon buka, m’asht lidhë nyeiu lidh një nyjë në grykë (nga ngashërimi), m’u mblodh një lamsh (një nye) në grykë. Dënesa është një vaj me ndërprerje, sikur ndesh në një pengesë, në një nyjë (khs. edhe nyja e fytit).

– Dudûm “halldup, turkoshak”; në poezinë “Mustaf Pasha”: Nder valle jevkash, n’lodrë dudûmash. Fjalë me origjinë onomatopeike, imitim i zhurmës së lodrës.

– Galdoj “gëzoj”, në poezinë “I tretuni”: Ju njeti galdoni: / Kû â flladi i pelqyeshem. Fjalë e gegërishtes veriperëndimore, e përdorur në shkrime poetike. Nuk ka karakter popullor; prandaj është krijim intelektualësh, që ka si bazë lat. gaudium “gëzim”.

– I errmaktë “i majtë”; në poezinë “I tretuni”: Nji pecë t’kuqe i pata qepë / N’kambë t’errmaktë qi kishte repë. Lidhet brenda gjuhës me i majtë dhe i mëngjër, të gjitha këto prej lat. mancus “dorëcung, sakat, i metë”. Sipas besëtytnive të lashta, ana e majtë lidhej me të keqen, kurse e djathta me të mirën. Mbiemri i rrëmakët, që është trajtë dialektore e gegërishtes veriperëndimore, ka marrë parashtesën rrë-, ndërsa zanorja e-është një shtesë fonetike për lehtësi shqiptimi, që e marrin në gegërishte fjalët që nisin me grupin sonante + bashkëtingëllore, një veçori që e ka edhe gegërishtja verilindore dhe ndër autorët e vjetër Buzuku me rastet ermonjerrshajë etj.

– Jes “mbes, mbetem”; në poezinë “Vllávrási”: Dy mâ t’mdhajt nder luftna mbeten / E këtû i treti qe po jet. Është forma e vetës II shumës të rrënjës ie. të foljes es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ jenë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me –nṎōjeni si bani / bëni. Kësisoj, folja jet krahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes qes ~ qet. Sot është fjalë dialektore, por ka qenë e mbarë shqipes, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë, që kanë foljen vjetem “mbetem”, të formuar me parashtesën vë-. E ka edhe Buzuku.

– Kacatore “një lloj pushke”, te “Ândrra e jetës”: Me rryp rreth brêzit, me nji gjashtore / E’ j kacatore. Formim i brendshëm prej gacatore “pushkë e vjetër me strall” prej emritgacë me kuptimin “pushkë që nxjerr zjarr”.

– Kaliboç “kaliqafë, në shpinë”, në poezinë “Vllávrási”: Neper terr qi lëshote nata, / Ngarkue teshat kaliboç. Formim i brendshëm me prefiksin kali- prej emrit kalë dhe emrin bohçe “plaçka të mbështjella në një shami të madhe”.

– kerzha “vend i mbushur me gurë e shkëmbinj”; në poezinë “Mahmud Pasha”: N’ fusha bâsa e nder kerzha t’ bungajes. Lidhet brenda gjuhës me karsh / kërsh; huazim nga sll. (skr.) krš “shkëmb, shkrep”.

– Kokot “gjel, këndes”; te “Ândrra e jetës”: Veç prej plehit gjel kokoti, / Me njat zâ qi s ndrron kurr-herë. Formim i brendshëm nga një onomatope: ko-ko, imitim i këngës së gjelit.

– Kollovrade ”pështjelluemas, rrokoll më rrokoll”; në poezinë “Vllávrási”: Tu u sjellë bora kollovráde. Fishta e ka për “njerëz pa vlerë, që sillen kot rrugash, halabakë”, te Lahuta: do shqyptarë do kallavrade. Fjalë krahinore e geg. VP, e formuar me emrinkollovar me kuptim përbuzës, që ka marrë prapashtesën -ade, si në forcade për “fuqi, forcë”.

– Kore “turp”, në poezinë “Giûha shqype”: Per lumni veç kore t’mbeti. Formim prapashkues prej foljes korisnga sll. koriti.

– Lashtë “vesë”, te “Ândrra e jetës”: E permbi kashta / Shndritë pika lashta. Formim i brendshëm me foljen lagdhe prapashtesën -shtë.

– Lavruer “kau i parmendës”; te “Ândrra e jetës”: Pau se n’at náde poshtë nji lavruer / Kish bâ nji shpuer. Formim i brendshëm me prapashtesën -or prej lavër, formë prapashkuese e foljes lëvroj prej it. lavorare“punoj”.

– Lmuç “shuk, top, njëri mbi tjetrin”, në poezinë “Shtegtari”: N’ rrugë mbet grueja brî nji lisit, / Edhè fëmija ráne lmuç. Ndajfolje e formuar me parashtesën -lë nga ermri muq, që e shënon Gazulli për “grumbull i vogël” me burim prej it. mucchio “grumbull”. Formalëmuç, me kthimin dialektor -q- > -ç-.

– Loke “emër personazhi te “Ândrra e jetës”, antroponim për gjininë femërore. Lidhet brenda gjuhës me *loknë bablok, që ka marrë fundoren -e si formant të gjinisë femërore. Elementi *lok nuk gjendet si fjalë më vete, por del si fundore e emrave, prandaj ka qenë prapashtesë, që mund të afrohet me prapashtesën –llëk të turqishtes me ndërrim të lëngëzoreve (khs. baballëk e bablok).

– Luron “ulurin”, në poezinë “Vllávrási”: Landët e pýllës si’j ujk ju dukshin, / qi prej ûjet n’mal luron. Lidhet brenda shqipes me uluron e jashta saj me lat. ululāre “ulërij”, ulula“kukuvajkë”, lit. ulula bañgos “ulërijnë valët”.

Llastore “e përkëdhelur”; në poezinë “Mahmud Pasha”: Kqyri Pashen tui qesh’, e llastore / E muer ngryk. Formim i brendshëm me prapashtesën -tore prej llasë“përkëdhelje”, vetë kjo prej foljes llâj “fryhem, ngopem”, me burim të trashëguar, prej rrënjës *elan- “përkul”.

– Mjet “midis, ndërmjet”; te “Ândrra e jetës”: Tui rá bórë, tui frye murlani, / mjet dy vorreve si ‘j lis. Fjalë me burim indoeuropian, që lidhet me lat. medius, gr. μέσ(σ)ος “i mesëm”, gjerm. mit “me”, Mitte “mes”. Me këtë fjalë lidhet emri i një fshati në Zadrimë, prej të cilit rrjedh edhe mbiemri i poetit.

– Mungullon “mbin, nxjerr syth”; te “Ândrra e jetës”: Edhè shtâza po gazmohet, / Edhè bari mungullon. Formim i brendshëm prej emrit mug “gjysmerrësira pak përpara lindjes së diellit”, që ka zhvilluar kuptimin “gjendja kur fillon të çelë (drita)”. Ka marrë prapashtesën -o të foljeve dhe epentezën e një -n-je.

– Murgjinë “emër lope”; te “Ândrra e jetës”: del se erdh murgjina. Formim i brendshëm me prapashtesën -inëprej shumësit murgj, duke u emërtuar kafsha prej ngjyrës së errët të rrobës së murgut.

– Nget “afër, pranë”, në poezinë “Vorri i Skanderbegut”: E nget vorrit t’Skanderbegut / Rrite ‘j zojë me futë në krye. Formim dialektor që lidhet me ngjat e të dyja këto me mbiemrin i gjatë, me ndërrimin e qiellzores në grykore në të folme gege.

– Njome “fëmijë, vogëlushe”; te “Ândrra e jetës”: – Bij’, mos e prek, se njomja / Tash â tui folë me Zojen. Lidhet me foljen njom, që ka burim të trashëguar duke u lidhur me mbiemrin “i ri” të gjuhëve indoeuropiane nga rrënja neỊos,-Ṏos, ku bëjnë pjesë ind. vj.návya-, gr. (jon.) νεÃος, gal. Nevio-, got. niujis, të gjitha me kuptimin “i ri” (shq. *nṎē-m).

– Pronjet “pronat”; në poezinë “Mahmúd Pasha”: Sá t’kujtojn’ se nder pronjet e t’parit / Nji kind t’vetun perdhuni na shklet. Është trajta më e vjetër e së sotmes pronë, huazim prej gr. mes. πρόνια, që me këtë trajtë dëshmohet te Budi në emrin proniarëtë dhe në patronimin Pronjari në anët e Korçës.

– Rranje “punët e përditshme të shtëpisë”; te “Ândrra e jetës”: Lodhë prei végësh, prei rranjesh shpijet. Është shumësi i emrit rrangë, me burim prej it. vj. rangola, duke u lidhur brenda gjuhës me rrangullarrangallerrangallinë e rrangla.

– Rreshket, te Mjeda me kuptimin figurativ “dëshiron, ke dëshirë”; në poezinë “Váji i bylbylit”: E gjith kû t’rreshket / shkon fluturim. Është folja rreshk “thaj, skuq”, me burim të trashëguar, që lidhet brenda gjuhës me ndryshk, duke u lidhur në shkallë indoeuropiane me rrënjën reudh “i kuq”, ku bëjnë pjesë sll. vj. kisht. rudъ “i kuq”, rusъ “i kuqërremtë”, rъžda “ndryshk”, lat. russus e gjerm. rot “i kuq”.

– Rrfanë “bishti ku lidhet kokrra e qershisë”; te “Ândrra e jetës”: Molla t’kputuna nji deget / Dý qershija lidhë n’nji rrfanë. Formim i brendshëm me parashtesën rrë- dhe emrinvanë “ulluk i ngushtë, që i bëhet për së gjati një dërrase që të puthitet mirë me një dërrasë tjetër”, shumësi i emrit va “shteg kalimi”. Lidhet brenda gjuhës me rruvan errufane “veshi i rrushit pa kokrra”.

– Rrmyeshëm “me vrull, furishëm”; në poezinë “I tretuni”: Kû qetas del kroni, / Kû gurra del rrmyeshëm. Formim i brendshëm me prapashtesën -shëm prej emrit rrymë.

– Qetë “shkëmb me majë të mprehtë”, te “Ândrra e jetës”: Sogjetarë, porsi furija / E nji rrfés qi qetat shpon. Formim i brendshëm nga qye “majë mali”, që në trajtën e shquar bën qeu e në shumës qetë. Është një shumës i singularizuar, rrënja e të cilit në shkallë indoeuropiane lidhet me ind. vj. kanda- “top, gungë”, gr. κόνδυλος “shkop, grusht”, gjerm. l. vj. hnel “majë, kulm”.

– E salikueme “që i janë bërë ceremonitë fetare gjatë varrimit”; në poezinë “Të vorruemit e Sir John Moore”: Dhimshem burrin tui ankue / Neper buzë, e salikueme. Lidhet mepsalmet “këngë fetare” me burim prej gr. ψάλλω “këndoj”. Në gjuhën shqipe ka hyrë prej italishtes. Budi e ka me formën psalikoj ~ psalikime. Trajta e sotme mund të jetë ndikuar prej it. salmo, ose buzorja p- mund të ketë rënë në një grup bashkëtingëllor. Trajta e thjeshtuar del së pari te Junku e te Bashkimi. Brenda shqipes fjala ka pësuar zhvendosje kuptimore duke shprehur ceremoninë e varrimit, në vend të këngëve e lutjeve fetare.

– I shpjetë “i shpejtë”, te “Ândrra e jetës”: Cirlikne rrotllat posht’ e perpjetë / Nen kâmbë të shpjetë. E shënon Gazulli për Zadrimë dhe Marko Boçari për toskërishten; një nga trajtat që dëshmojnë lidhjen me foljen shpie ~ shpjerë, duke u lidhur me shpjert të Buzukut e me i çpjertë të Bardhit.

 Shqimit “krejt”; në poezinë “I tretuni”: I falem, se shqimit / Ju m’hiqni trishtimit. Është emër i rasës rrjedhore njëjës me vlerë ndajfoljore, i formuar me formantin -m të pjesores prej foljes shqyej, duke u lidhur brenda gjuhës me shkimëz “një pjesë e prerë a e shkëputur; copë e vogël: një shqimëz letre”, ku del kuptimi i parë i foljes.

– I shuem “i shkretë”; në poezinë “Vllávrási”: Ah! nanë shkreta! i shuemi briti. Mbiemër i nyjshëm i formuar me formantin -m të pjesores prej foljes shuej “fik”  me kuptimin “i fikur, i mbaruar”. Me kuptimin “i vdekur” në Shkodër Dita e të Shumëve “dita e të vdekurve, e atyre që janë shuar”, interpretuar gabim prej Tagliavinit si dita e të shumtëve“giorno dei molti”.

– Travajë “mundime, shqetësime”, te “Ândrra e jetës”: Shndritte at fëtyr’ të pa travajë. Huazim prej it. travaglio, që e ka edhe Bogdani.

– Tramë “frikë”; në poezinë “Mahmud Pasha”: T’rrgjanten shpatë qi kje trama e gjithkujit. E ka edhe Kuvendi i Arbënit dhe lidhet me foljen tremb me një shkallë tjetër vokalike me marrëdhënie apofonike.

– Truç “bashkë, grumbull”, në poezinë “Shtegtari”: anì prei fisit / Me i dalë para u nisne truç. Formim i brendshëm prej trumë “grumbull, bashkë, tufë” me prapashtesën , që ka shkaktuar rënien e sonantes -m.

– Tytë “bosh” te “Ândrra e jetës”: Shurdh’ â vendi e shpija tytë. Fjalë e trashëguar me burim indoeuropian, që lidhet brenda shqipes me tytën e pushkës e përjashta saj me rrënjën ie. tỊō(ū)– “tub”.

– Vení “vetmi”; në poezinë “Váji i dallëndyshës”: Lerg gjithkújit e n’vení. Formim i brendshëm me prapashtesën -i prej trajtës dialektore vetun të gegërishtes veriore me rënie tingujsh. Mund të jetë krijim i autorit.

– Zgaq “fundërri, pleh”, “njeri i poshtër, pa cipë e pa nder”, në poezinë “Mustaf Pasha”:zgaq i perbuzshem, Shqypnija t’volli. Lidhet me zgaqem “zhvishem, zbulohem” e memgaqem “vishem”, e formuar prej gaqe“shallvare prej cohe të kaltër deri në gju”.

– Zis “ngacmoj”, në poezinë “Váji i bylbylit”: E kur t’zitë edi / Nder prroje pi. Është trajta  pa parashtesë e foljes nxis, me burim indoeuropian.

– Zití “vrull, shpejtësi, nxitim”; në poezinë “Váji i bylbylit”: Neper fush’ e neper shpija, / Me zití qi s nep afat. Formim i brendshëm me prapashtesën -i nga një rrënjë zit-, që lidhet brenda gjuhës me foljen nxis e jashtë saj me rrënjën ie. gi-t “jetoj”, ku bëjnë pjesë let.dzît “shëroj”, sll. vj. žiti “jetoj”, ind. vj. jīrá– “i gjallë”. Formën më të hershme zit e shënojnë Weigandi e Gazulli.

Në veprën poetike të Mjedës gjejmë jo vetëm fjalë të rralla të shqipes, të përdorura me mjeshtri e elegancë, por edhe forma gramatikore me vlera të veçanta, sintagma e frazeologji, që i japin gjuhës së këtij artisti thellësi mendimi, të shprehur me fjalë të pakta. Në to gjendet shkurtësia e shprehjes dhe ekonomia gjuhësore, që poeti i mori në të folmen e vendlindjes dhe i përpunoi më tej. Vëmë në dukje rrjedhoren pa parafjalë, në raste si: Flutrojnë kû çerdhen motit e nguleJu m’hiqni trishtimit; U lodhnegjûmit fëmija; pjesoret e shkurtra që shprehin një gjendje, si: Vesh’ e njeshë me stoli t’vetLodhë prei végësh; ndajfoljet me burim mbiemëror, si: këndon permállshem,hangri shieshem, kuvendte me nanen pergjumshem; mbiemrat pa nyjë, që marrin vlera të veçanta shprehëse, si: Zi nder petkaShurdh’ a vêndiE tamli, bardh si bórë; emrat me vlerë ndajfoljore, si: Shkon fluturimRrkaj’ i ulen lott per rrudha; sintagmat emërore të formuara nga një emër e një mbiemër pa nyjë, si: nan-zezanan-shkreta,nan-locja; formën e pashtjelluar foljore me një emër të rasës kallëzore, si: T’ardhmenTrina mbrámje n’shpiT’çilmen lotve syt e mi; trajtën e pashtjelluar me pjesëzën pa me vlerë ndajfoljore, si Bylbyl, pá prâ gjimòpá dá zêmrën m’a ngushllontui luejtë pá-mêjungishtat; mbiemrat në trajtë të shquar për të shprehur shkallën sipërore, si:Krajlnit mâ t’moçmet ndrrohen me t’reja. Ka edhe mjaft fjalë të reja, sidomos mbiemra, pjesa më e madhe e të cilëve janë krijime të autorit, si: rrjedha qetoreograja bleroshe, diell i valtë, rrufé bumbullore, udhtim i rrmueshemdallëndyshë shtegtore, giuhëvajtorerrjedhë damtoreflakë shkrumuesesukë mrekulloreborë amshorehanëdrapnorekohna qytetnoredjelmëní ushtore etj.

E gjithë kjo pasuri gjuhësore e veprës së këtij poeti të talentuar, që nuk është përfshirë në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, mund të rigjallërohet duke pasuruar më tej gjuhën.

Mjeda ka qenë gjithashtu një punëtor i palodhur për pastrimin e shqipes prej fjalëve të huaja të panevojshme. Ai i përpunonte gjithnjë poezitë e tij jo vetëm për figurat e stilin, por edhe për gjuhën duke u prirur drejt një pastërtie sa më të madhe. Për këtë mjafton të krahasojmë poezitë e tij të para, që i botoi Jungu më 1887 në shtojcën e librit ”Shahiri elierz” me ato që botoi poeti më vonë në Vjenë e në Shkodër.

Të gjitha këto dëshmojnë se shembulli i Mjedës, që përpiqet ta lëvrojë dhe ta pasurojë shqipen me brumin e mjetet e saj, është frut i dashurisë së tij për gjuhën amtare, për të cilën, duke e parë si shenjë bashkimi të të gjithë kombit shqiptar, shkruan:

 

Nji gjuhë shqipe t’gjith kuvesim

Nji Istori, nji atdhe na kemi

Geg’ e Toskë nji zemre jemi

me ndjek shqype hovin tand.

 

 

BIBLIOGRAFI

 

Mjedja Ndre

–        Juvenilia, Shkodrë, 1928.

–        Lissus. Shkodrë, 1928.

–        Prênd e Prêndë. Leka IV 1932, 351.

–        Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe. Shkodrë, 1934.

–        Scodra. Shkodrë, 1939.

Mjedologji 1.Aktet e konferencave shkencore; Shkodër, 8 dhjetor 2007 dhe Bushat, 1 gusht 2012. Lezhë, 2014.

Osmani Tomor

–        Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Camaj-Pipa, Shkodër, 2004.

Quku Mentor

–        Një fjalorth botanik i Ndre Mjedës. “Studime filologjike” 3, 1984, 155-172.

–        Mjeda 3, 4, 5, 6. Shtëpia botuese Ilar.

Topalli Kolec

–        Ndre Mjeda dhe pasurimi i gjuhës shqipe; “Kumtari i Muzeut historik”, Shkodër, 2007; “Gjuha Jonë”, Tiranë, 2007.

–        Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe (i pabotuar).